LAJMI I FUNDIT:

Në Ferizaj nis debati publik për pakon ligjore të reformës së administratës publike

Në Ferizaj nis debati publik për pakon ligjore të reformës së administratës publike

Në kuadër të fushatës së informimit dhe konsultimit publik për pakon ligjore të reformës së administratës publike që përfshinë Projektligjin për administratën shtetërore, Projektligjin zyrtarët publike si dhe Projektligjin për pagat, Ministria e Administratës Publike (MAP) në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt si dhe INPO-n, organizoi sot një takim publik me qytetarët si dhe përfaqësuesit e institucioneve dhe shoqërisë civile në Ferizaj.

Në këtë takim morën pjesë kryetarët, kryesuesit e Kuvendeve, drejtorët e Administratës Komunale,  si dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga komunat e rajonit të Ferizajt që përfshinë: Ferizajn, Kaçanikun, Shtimen, Shtërpcën si dhe Hanin e Elezit.


Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar tha se MAP pas një pune të gjatë dhe me shumë sfida ka finalizuar procesin e hartimit të tre projektligjeve dhe ka filluar fazën e konsultimit publik para se projektligjet të aprovohen në Qeveri dhe pastaj të dërgohen në Kuvend për miratim.

Yagcilar, më tutje tha se reforma e administratës publike në Republikën e Kosovës ka për qëllim të krijojë kushte që administrata të jetë e orientuar kah plotësimi i kërkesave dhe nevojave specifike të qytetarëve dhe të punojë në interes të tyre.

“Përmes pakos ligjore të reformës së administratës publike ne adresojmë problemet aktuale në sistemin e pagave, rregullimin e brendshëm të institucioneve publike, rregullimin dhe kontrollimin e zgjerimit të administratës shtetërore si dhe rekrutimin dhe performancën e të punësuarve në sektorin publik. Pakoja ligjore instalon meritokraci dhe etikë në administratën publike dhe kështu ndërton besimin e publikut në qeverisje dhe ofrimin e shërbimeve”, tha ai.

Kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, tha se reforma e administratës publike ka të bëjë me ndërtimin e një administrate publike që është profesionale dhe ka kapacitet për t’i shërbyer në mënyrë efektive të gjithë qytetarëve. Ai tha se komunat janë adresa e parë e secilit qytetar.

Më tutje, Aliu shtoi se komuna e Ferizajt përkrah pakon ligjore të reformës së administratës publike sepse ka të bëjë me shtet-ndërtim dhe sjell administratën shtetërore më afër qytetarit dhe vendin më afër BE-së.

Drejtori i Departamentit Ligjor në Ministrinë e Administratës Publike, Naser Shamolli në cilësinë e kryesuesit të Grupit punues për hartimin e pakos ligjore të reformës së administratës publike shpalosi përmbajtjen e drafteve aktuale të projektligjeve dhe sqaroj qëllimet e secilit ligjit.

Projektligji për Administratën Shtetërore ka për qëllim të përcaktoj rregullat për organizimin dhe funksionimin e institucioneve të administratës publike dhe agjencive të pavarura të themeluara nga Kuvendi.

Qëllimi i projektligjit është krijimi i kuadrit koherent ligjor për krijimin, drejtimin, mbarëvajtjen, përgjegjshmërinë dhe performancën e tyre.

Projektligji për Zyrtarët Publik ka për qëllim krijimin e kornizës ligjore për punësim të zyrtarëve publik në institucione të bazuar në merita, integritet moral, paanësi dhe qëndrueshmëri.

Ndërkaq, Projektligji për Pagat ka për qëllim të përcaktoj sistemin e pagave dhe shpërblimeve për zyrtarët dhe funksionarët publik, si dhe rregullat për përcaktimin e pagave të punonjësve të ndërmarrjeve publike në Kosovë.

Në fund të debatit,  ministri Yagcilar tha se MAP ka publikuar në platformën e konsultimeve publike draftet aktuale të projektligjeve dhe gjatë periudhës dy javore do të organizojmë takime të drejtpërdrejta në të gjithë regjionet për të njoftuar dhe konsultuar qytetarët, institucionet, shoqërinë civilë dhe të gjithë palët e interesuara me projektligjet  në fjalë. /Telegrafi/