Momenti më emocionues pas derbit Tyne-Wear u pa kur tifozët e Sunderlandit nisën të këndonin me zë të lartë: “Ne e kemi Granit Xhakën, ne e kemi Granit Xhakën.”

Kapiteni i ekipit, 33-vjeçari u këndua nga tifozët pas ndeshjes dhe u bë figura qendrore e fitores 1-0, që erdhi falë autogolit të Nick Woltemade në pjesën e dytë.


Atmosfera në Stadium e Dritave ishte elektrizuese, ndërsa shpirti i luftëtarit i Xhakës u reflektua në çdo duel të fituar në fushë, duke i dhënë fansave arsye për të festuar.

“Ne e kemi Granit Xhakën, ne e kemi Granit Xhakën”, ishin vargjet e këngës që këndohej me zë të lartë nga shkallët e stadiumit.


Pas ndeshjes, Xhaka ndau emocionet e tij, pas kësaj fitoreje, që e mban Sunerlandin në pjesën e epërme të renditjes.

“Para së gjithash, kjo fitore i dedikohet tifozëve tanë. Është një privilegj të jem pjesë e këtij klubi futbolli, të luaj në këtë derbi. Ka shumë rëndësi. E ndjemë gjatë gjithë javës, kjo javë ishte speciale. Donim t’u japim tifozëve diçka nga sot dhe jemi të lumtur që morëm tre pikët dhe treguam një ndeshje të shkëlqyer. Shpirti ishte i mrekullueshëm”, deklaroi kapiteni Xhaka.

Xhaka, i cili ka luajtur te Arsenal dhe Bayer Leverkusen në karrierën e tij, theksoi rëndësinë e derbit dhe ndjenjat pas ndeshjes.

“Me përvojën time, kam luajtur shumë derbi, por kjo javë ishte kaq speciale. Nuk mund të përshkruhet me fjalë. Derbit janë për t’u fituar. Tifozët kanë nevojë gjithashtu. Është e dhimbshme çdo derbi që humb, por ky ishte special. Jam krenar për këtë ekip dhe krenar për lojën që luajtëm. Nuk ishte ndeshja më e bukur e futbollit, por karakteri që sollëm sot ishte i mrekullueshëm”, nënvizoi ai.


Sunderland shënoi një fitore të rëndësishme në këtë derbi, dhe Granit Xhaka tregoi se përvoja, karakteri dhe lidershipi i tij janë të pazëvendësueshme për ekipin dhe tifozët. /Telegrafi/

telegrafi sport app