Trëndafili, mbretëresha e kopshtit: e qëndrueshme, elegante dhe e përjetshme

Trëndafilat me plot meritë mbajnë titullin “mbretëreshë e luleve”, jo vetëm për petalet e tyre të hijshme dhe aromën magjepsëse, por edhe për qëndrueshmërinë e jashtëzakonshme që kanë.


Ato janë ndër bimët më mirënjohëse që mund të mbillni në kopshtin tuaj. Edhe pa ujitje të rregullt apo plehërim të shpeshtë, trëndafilat mund të mbijetojnë me vite të tëra, shembulli më i mirë janë ata që rriten në parqe publike, ku askush nuk kujdeset rregullisht për to, e megjithatë lulëzojnë çdo sezon.

Megjithatë, pasi t’i mbillni, kujdesi bazë do t’i ndihmojë të lulëzojnë më bukur dhe më gjatë, duke ju falur një pamje plot ngjyra dhe aromë të freskët.

Kur është koha më e mirë për mbjellje

Pas periudhës së luleve verore, kur shumë bimë fillojnë të zbehen dhe kopshti humbet ngjyrat e tij të ndezura, vjeshta është momenti ideal për të shtuar një aromë të re.

Trëndafilat nisin të lulëzojnë shumë shpejt pas mbjelljes dhe do ta transformojnë kopshtin tuaj.

Nëse tani nuk keni kohë, mund t’i mbillni edhe në nëntor, madje në zonat më të ngrohta, deri në dhjetor, për sa kohë që toka nuk është e ngrirë, transmeton Telegrafi.


Si t’i planifikoni dhe kombinoni

Nëse dëshironi të krijoni një shtrat trëndafilash, mbillni 3 deri në 5 fidanë të së njëjtës varietet, për efekt më të plotë.

Nëse preferoni kontraste, kombinoni ngjyra të ndryshme, ndërsa për një pamje harmonike zgjidhni një ngjyrë unike në të gjithë shtratin.

Trëndafilat duken veçanërisht bukur në kombinim me shkurre zbukuruese ose bimë shumëvjeçare me gjethe dekorative.

Hapësira dhe kushtet e rritjes

Këto lule rriten shpejt dhe, varësisht nga varieteti, mund të shtrihen horizontalisht ose të arrijnë lartësi të konsiderueshme. Prandaj, lëreni 40–50 cm hapësirë ndërmjet fidaneve që të kenë mjaft ajër dhe dritë.

Trëndafilat e duan diellin, ndërsa toka ideale është ajo e pasur me humus dhe me drenazh të mirë, që rrënjët të mos qëndrojnë në ujë.

Mbjellja dhe kujdesi

Gjatë mbjelljes, sigurohuni që rrënjët të jenë plotësisht të mbuluara me dhe. Një nga sekretet për rritje të shëndetshme dhe lulëzim të pasur është prerja e rregullt, ajo i ndihmon bimës të formojë fidane të rinj dhe të ruajë formën elegante.

Në pranverë, mund t’i ushqeni me plehra organikë ose kompost, ndërsa në verë, ujitja më e mirë është ajo në mëngjes ose mbrëmje, kur nuk ka diell të fortë. /Telegrafi/