Në ditëlindjen e 47-të, Rovena Stefa i kushton një këngë babait të ndjerë: Ende më duket e pabesueshme

Këngëtarja e njohur shqiptare, Rovena Stefa, feston sot (e hënë) ditëlindjen e 47-të.
Me këtë rast, ajo ka bërë një postim të gjatë, një reflektim të kohës, duke përfshirë edhe të atin - që i ndërroi jetë disa muaj më parë.
Ajo i ka dedikuar një këngë të quajtur "Për ty baba", klipin e së cilës e ka realizuar me Inteligjencë Artificiale.

Theksoi gjithashtu se sot më shumë se kurrë e ndjen mungesën e tij dhe se nuk e beson akoma që nuk është më.
Postimi i plotë në Instagram (pa ndërhyrje):
"Sot është ditëlindja ime…dhe për herë të parë, mungon një zë që gjithmonë ishte aty.
Kanë kaluar vetëm pak muaj që kur ti u largove nga kjo botë, babi…dhe ende më duket e pabesueshme që nuk mund të të përqafoj, nuk mund të të dëgjoj duke më thënë “Gëzuar ditëlindjen” me atë buzëqeshjen tënde që më mbushte shpirtin.
Sot nuk është thjesht një ditë feste për mua.
Është një ditë reflektimi, një ditë kujtimesh, një ditë ku mungesa jote ndihet më shumë se kurrë.
Kam zgjedhur ta ndaj këtë video me ju,jo vetëm si një krijim artistik,por si një copëz zemre… si një mënyrë për ta mbajtur gjallë kujtimin e tij.
Babi, gjithçka që jam sot, mban një pjesë tënden.Forca ime, ëndrrat e mia, mënyra si e shoh jetën…janë të gjitha një reflektim i dashurisë që më ke dhënë.Do të doja shumë të ishe këtu sot.Por e di që në një mënyrë tjetër… je.
Në çdo hap timin, në çdo frymëzim, në çdo notë dhe çdo fjalë.
Kjo ditëlindje nuk ka të njëjtin kuptim pa ty,por ka një premtim:që do të vazhdoj përpara, duke të mbajtur gjithmonë me vete.
Për të gjithë ju që më ndiqni dhe më doni,faleminderit që jeni pranë meje edhe në momentet më të vështira.
Dashuria juaj më jep forcë.
Sot, kjo është për ty, babi.
Gjithmonë për ty". /Telegrafi/





























































