Pas procedurave në qendrën pritëse në Shëngjin, 40 emigrantë, të cilët mbërritën me anijen “Libra” të Marinës Italiane, u transferuan në Kampin e Gjadrit.

Emigrantët u transportuan me autobus nën masa të rrepta sigurie nga policia shqiptare dhe ajo italiane në kampin ku do të qëndrojnë për një periudhë deri në 18 muaj, përpara riatdhesimit të tyre në vendet e origjinës.


Ndërkohë autoritetet shqiptare janë angazhuar të garantojnë standardet e sigurisë dhe respektimin e të drejtave bazë të emigrantëve gjatë gjithë periudhës së qëndrimit të tyre.

Fillimisht, kampi i Gjadrit ishte konceptuar për të strehuar përkohësisht azilkërkuesit e shpëtuar në det nga anijet italiane për një periudhë deri në 28 ditë. Por me dekretin e ri, ajo do të shërbejë edhe si qendër ndalimi për emigrantët, që nuk kanë më të drejtë azili dhe janë në pritje të kthimit në vendet e tyre.

Ky është kontingjenti i katërt i emigrantëve që mbërrijnë në Shqipëri përmes portit të Shëngjinit.

Në tri rastet e para, emigrantët azilkërkues të kapur në det u rikthyen në Itali, pasi ndalimi i tyre u konsiderua i paligjshëm nga gjykatat italiane, duke detyruar qeverinë Meloni që të miratojë një dekret të ri, i cili parashikon që emigrantët e paligjshëm të ndaluar në ujërat italiane dhe që nuk përfitojnë statusin e azilantit, të transferohen në qendra pritjeje jashtë territorit italian, konkretisht në Shqipëri. /RTSH