Në Amsterdam ndodhi një përleshje masive në qendrat e votimit për zgjedhjet në Turqi – u desh të ndërhynte policia

Pak para mbylljes së qendrave të votimit të dielën në Amsterdam për zgjedhjet e përgjithshme në Turqi, ka nisur një sherr i madh, për të cilin është dashur të ndërhyjë policia.
Sipas informacioneve zyrtare, janë përleshur përkrahësit e dy partive politike, por nuk saktësohet se për cilën parti politike bëhet fjalë, përcjell Telegrafi.
Atje është theksuar se ka qenë një incident i madh për të cilin ka vepruar policia, duke përdorur qen dhe një helikopter policie i cili është parë të fluturonte mbi zonën ku ndodheshin qendrat e votimit.
Një nga dëshmitarët ka rrëfyer se ditët e fundit në vendvotim ka pasur tensione, por situata ka kulmuar të dielën.
Policia vendosi rendin dhe u larguan të fundit nga qendrat e votimit mëngjesin e sotëm, dy orë e gjysmë pas mesnate.
Siç ka njoftuar Transmetuesi Publik Hollandez (NOS), nuk dihet nëse ka të lënduar apo të arrestuar. /Telegrafi/





















































