LAJMI I FUNDIT:

Në 38-vjetorin e vdekjes së Gjon Milit: Në funeralin e gjeniut shqiptar, vetëm tre bashkëkombës!

Në 38-vjetorin e vdekjes së Gjon Milit: Në funeralin e gjeniut shqiptar, vetëm tre bashkëkombës!
Një “selfie” e Gjon Milit, e realizuar më 1944, gjatë xhirimeve të filmit të tij të shkurtë të nominuar për Ocar, “Jammin’ the Blues” (The LIFE Picture Collection/Getty Images)

E përditshmja njujorkeze “New York Times”, në numrin e saj të datës 16 shkurt të vitit 1984, ka botuar një shkrim të gjatë për vdekjen e Gjon Milit, me titullin: “Gjon Mili, fotografi i revistës LIFE, ka vdekur” – të autorit William R. Greer.

Pasi jepen të dhënat për shkakun e vdekjes si dhe për datën dhe vendin ku Mili ndërroi jetë, Greer ndër të tjera shkruan: “Z. Mili, bashkëpunëtor për një kohë të gjatë në revistën ‘LIFE’, nisi ta përdorte fleshin elektronik në vitin 1937. Me të ai do ta ngrijë një moment veprimi në fotografi, ose me një seri të shpejtë shkrepjesh të njëpasnjëshme duke realizuar një studim si frize (brez i gjerë horizontal i dekorimit të skalitur ose të pikturuar – v.a.) të fazave të njëpasnjëshme të të njëjtit veprim. Ishte seria e shkrepjes e quajtur fotografi stroboskopike, mënyra me të cilën ai e krijoi versionin e tij të pikturës së Duchamps-it ‘Nude Descending a Staircase’ (Nudo duke zbritur shkallëve). Është mbase më i njohur për një fotografi të vallëzuesve në ajër, Lindy Hop (lloj vallëzimi – v.a.), dhe të një fotografie të Pablo Picasso-s teksa vizatonte një figurë në ajër – me llambë të vogël në vend të lapsit”.


Edhe revista e specializuar për fotografi, më e madhja e kohës, “Popular Photography”, në editorialin e botimit të muajit prill 1984, të shkruar nga Arthur Goldsmith me titullin “Nuk është më me ne”, përveç njoftimit për vdekjen e Gjon Milit shkruan për raportin që (autori) kishte me të: “Edhe pse nuk ishte asnjëherë në stafin e LIFE-it, Mili ishte shumë i lidhur me këtë revistë që i botoi shumë nga fotografitë e tij mahnitëse dhe e mbështeti atë pasi studioja e tij në ‘Union Square’ (atelie e njohur fotografike – v.a.) u dogj në vitin 1966. Mili ishte personalitet i egër individualist, me temperament të zjarrtë dhe i ashpër, e për këtë arsye ishte tepër e vështirë për miqtë dhe për admiruesit e tij të shumtë për ta përballuar, por njëkohësisht tregohej shumë bujar me ata që i pëlqente. Nuk flisnim me njëri-tjetrin për më shumë se një dekadë – pas një grindjeje, për arsye personale e shumë të parëndësishme. Pastaj, në një ceremoni ku ishte edhe Mili, shkova tek ai për ta thyer akullin dhe folëm së bashku. Më tha atë natë se mendonte se isha fort i mirë në biznesin tim dhe se gjatë atyre viteve sa nuk kishim folur, kishte lexuar gjithçka që kisha shkruar. Epo, ndoshta e gjithë kjo nuk ishte fjalë për fjalë e vërtetë, por mund ta imagjinoni se si u ndjeva! Jam i lumtur që në dekadën e fundit marrëdhënia jonë ishte kaq e përzemërt…”

Historia e një fotografie dhe një takimi në Paris: Sartre, Beauvoir, Steinberg dhe Gjon Mili
Lexo po ashtu Historia e një fotografie dhe një takimi në Paris: Sartre, Beauvoir, Steinberg dhe Gjon Mili

Meqë jemi në përvjetorin vdekjes së tij, për ata që akoma nuk e kanë kuptuar se kush ishte Gjon Mili dhe çka ai përfaqëson në fotografinë amerikane dhe atë botërore, po jap disa detaje nga jeta dhe nga vepra e tij.

Gjon Mili u lind në Korçë të Shqipërisë. Prindërit e tij – Viktori Çekani dhe Vasil Mili – kur Gjoni ishte pesëvjeçar, emigruan në Rumani. Pas shkollimit fillor mbaroi Kolegjin Nacional “Gheorghe Lazăr” në Bukuresht.

Emigroi në Amerikë me ndihmën e dajës së tij Koço Çekani, kur ishte tetëmbëdhjetë vjeç. Menjëherë pasi mbërriti në Amerikë, në vitin 1923, në kërkim të një karriere inxhinierike takoi Faik Konicën të cilin në monografinë e tij të botuar në vitit 1980, “Photographs & Recollections”, e përshkruan kështu: ”… bashkëqytetar shqiptar në moshë, shkrimtar i shkëlqyer, humanist i kompletuar dhe intelektual i mprehtë si brisku”.

Konica që shumë shpejt u bë mik i rëndësishëm i Milit, në takimet e tyre të shpeshta u përpoq që Gjonit të ri t’ia zgjeronte interesin për artet, veçanërisht për filmat të cilët i pëlqente dhe i konsideronte si formë e rëndësishme arti. Në vitin 1924, Gjon Mili nisi studimet për Inxhinieri Elektrike në Institutin e Teknologjisë së Masaçusetsit (MIT) të cilat i përfundon me suksesin maksimal duke marr diplomën B.S. (Baçelor i shkencave). Nga viti 1928 deri në vitin 1938 punësohet në kompaninë me nam botëror, Westinghouse Electric and Manufacturing Co., ku punoi si inxhinier kërkimor i ndriçimit në divizionin e llambave. Gjatë asaj periudhe ka përpiluar dokumente të shumta teknike mbi kërkimet në projeksionin e dritës, optikën dhe fotografinë. E zhvilloi llambën e filamentit biplanor që ishte burimi më i ndritshëm i dritës së tungstenit apo volframit në atë kohë.

Ndërmjet viteve 1930 dhe 1935 e zhvilloi teknikën e ndriçimit që tani përdoret në mënyrë universale në fotografinë me ngjyra me llamba inkandeshente me intensitet të lartë dhe me llamba fotoflesh. U përfshi gjithashtu – që nga viti 1938 – në fotografinë eksperimentale dhe komerciale me flesh me shpejtësi të lartë (100.000/s), në bashkëpunim me Dr. H. E. Edgerton-in e MTI-së.

Studimi psikologjik i autoportretit fotografik: Artistët e famshëm, “selfie” me ndihmën e Gjon Milit
Lexo po ashtu Studimi psikologjik i autoportretit fotografik: Artistët e famshëm, “selfie” me ndihmën e Gjon Milit

Karriera e Milit si fotograf profesionist filloi kur fotografitë e tij të kampionit të tenisit, të Bobby Riggs-it në veprim, u botuan në “LIFE” (16 shtator 1938). Që atëherë, artikujt me fotografitë e tij janë publikuar vazhdimisht në faqet e kësaj reviste, deri në vitin 1980. Mbeten të paharruara fotografitë e tij të realizuara me artistin ikonik të shekullit XX, Pablo Picasso, esetë fotografike me çelistin spanjoll Pablo Casals dhe me dramaturgun irlandez Sean O’Casey i cili, nga admirimi, e quante Milin “gjeniu shqiptar”.

Gjon Mili nga kolegët bashkëkohanikë, por edhe nga kritika e fotografisë, konsiderohej ndër fotografët më të mëdhenj të shekullit XX, për shkak të stilit të tij të veçantë që konsistonte nga së paku dy teknika novatore që i përdorte me mjeshtri të jashtëzakonshme. Fotografia e realizuar me fleshin stroboskopik, si dhe ajo e realizuar me llambë drite që linte gjurmët e saj në hapësirën e errësuar, la pa fjalë dhe pa mundësi shpjegimi të gjithë ata që po i shijonin përmes revistës LIFE, por edhe përmes ekspozitave në galeritë e njohura amerikane dhe evropiane. Kjo mrekulli fotografike, fotografit shqiptar i solli vlerësime nga më të lartat.

Në vitin 1958, në publikimin e muajit maj, redaksia e revistës “Popular Photography” kishte botuar rezultatin e një ankete për fotografët kryesorë aktivë të kohës, duke e nxjerr listën e 10 më të mëdhenjve. Lista u publikua sipas këtij rendi alfabetik:

1. Ansel Adams;
2. Richard Avedon;
3. Henri Cartier-Bresson;
4. Alfred Eisenstaedt;
5. Ernst Haas;
6. Philippe Halsman;
7. Yousuf Karsh;
8. Gjon Mili;
9. Irving Penn;
10. W. Eugene Smith.

Gjon Mili në mesin e dhjetë më të mëdhenjve të fotografisë botërore
Lexo po ashtu Gjon Mili në mesin e dhjetë më të mëdhenjve të fotografisë botërore

Gjon Mili veçohet edhe për punën e tij pedagogjike, në disa universitete.  Në vjeshtën e vitit 1969 dha një seri leksionesh në Universitetin e Yale-it në temën “Eseja fotografike”; ligjëroi në Projektin e Artit Veror të sponsorizuar nga Sarah Lawrence College në Lakostë të Francës (gjatë viteve 1972, 1973 dhe 1974). Ishte instruktor në “Parimet e Fotografisë” në Kolegjin “Hunter” të Nju-Jorkut, ku ka dhënë mësim që nga viti 1973. Gjatë prilli 1977, në Masaçusets (“The Art Department, Jewett Arts Center, Wellesley College”), bashkë me fotografët John Morris, Paul Taylor, Robert Frank, Frederic Wiseman, John Szarkowski, W.Eugene Smith, Susan Sontag, Irving Penn, Robert Coles … mban leksione për studentët në temën “Photography within the Humanities” (Fotografia brenda shkencave humane).

Pas një jete dhe karriere tejet të bujshme e përplot suksese, Gjon Mili – i cili vitet e fundit vuante nga pneumonia – vdiq në moshën 79 vjeçare, më 14 shkurt të vitit 1984, në spitalin e Stamfordit në Konektikat të ShBA-së. E varrosën tre ditë më vonë, më 17 shkurt 1984. Sipas editorit të gazetës shqiptaro-amerikane “Dielli”, Dalip Greca, në funeralin e Gjon Milit kanë marrë pjesë vetëm tre shqiptarë (Nexhmije Zajmi, Sejdi Bytyçi dhe Tonin Mirakaj)!

Gjon Mili la pas vetes vëllain dhe motrën me familjet e tyre që jetonin në Bukuresht. /Telegrafi/