Ndryshimi i Kushtetutës - i nevojshëm

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës është nxjerrë në rrethana të jashtëzakonshme dhe si e tillë, ajo e ka luajtur rolin e vet për këta tre vjet. Por, ka edhe elemente, të cilat nuk sigurojnë për të ardhmen një zhvillim të mirëfilltë të zbatimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë”, ka thënë njëri nga anëtarët e Grupit për hartimin e Kushtetutës së Kosovës, Fatmir Fehmiu.
“Prandaj, është tejet e nevojshme që ndryshimet të fillojnë sa më parë, duke pasur parasysh se tash jemi shtet i pavarur, sovran dhe me këtë Kushtetutë të sanksionohet dhe verifikohet sovraniteti dhe pavarësia e Republikës së Kosovës”, ka thënë Fehmiu për Radion Evropa e Lirë.
Kushtetuta e Kosovës është një dokument, i cili më vete përmban shumë elemente politike, që e kanë çuar Kosovën drejt një pavarësie të mbikëqyrur, ka thënë Arsim Bajrami, profesori i së Drejtës Kushtetuese. Bajrami, i cili, po ashtu, ka qenë anëtar i Grupit për hartimin e Kushtetutës, konsideron se Kushtetuta duhet të pësojë ndryshime, duke filluar nga vetë institucioni i presidentit të Republikës.
“Kushtetuta është e miratuar në një kontest politik të një marrëveshjeje ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës, dhe mendoj se këto kufizime të pavarësisë duhet kuptuar edhe një kohë si një ndihmesë për Kosovën, po në momentin e caktuar duhet të mundësohet që Kosova të ketë një kushtetutë plotësisht funksionale, pa elemente politike, me standarde vërtet evropiane, në mënyrë që demokracia jonë të jetë sa më funksionale”. /Telegrafi/




















































