0Shares

Nëse e lëni duhanin që nga ky moment, përbrenda pak orëve do të fillojë rigjenerimi i mishrave, bie menjëherë rreziku i inflamimit të pjesëve përreth dhëmbëve. Frymëmarrja juaj do të fillojë të lehtësohet. Brenda pak ditëve ju eliminohet aroma e keqe e gojës dhe pas 48 orëve përmirësohet shqisa e shijes…

Dr. Spec. Arianita Shala – Zeka
Specialiste e Sëmundjeve të Dhëmbit me Endodoncion
Klinika Specialistike Stomatologjike “Dr.Nita”
044 695 002, 049 823-040 & 038 754 926
Rr. Musatafa Venhari nr. 58, Dardani (mbrapa Bast Trade)
arianita.shala@gmail.com

Qytetarët e Kosovës informohen çdo ditë mbi efektet negative që ka për shëndetin tonë pirja e duhanit. Dihet që kjo dukuri negative ka efekte në çdo organ të njeriut dhe shkakton sëmundje të shumta.

Është vërtetuar se çdo e pesta vdekje është si pasojë e konsumimit të duhanit. Në vendin tonë kjo dukuri shkakton pothuajse të gjitha vdekjet nga kanceri i mushkërive.

Dihet që pirja e duhanit e rritë rrezikun e sëmundjeve të zemrës, mushkërive, qarkullimit të gjakut, frymëmarrjes, etj por mendoj që pak është shkruar e folur për ndikimin që ka kjo dukuri e shëmtuar mbi shëndetin oral.

Duhani përveç që shkakton dëme estetike tek dhëmbët ngase ndikon në verdhëzimin e dhëmbëve, jep poashtu aromë shumë të keqe të gojës dhe trupit (veshjeve), ajo dëmton edhe shqisën e të shijuarit, asnjë duhanxhi nuk mund të thotë se e shijon ushqimin si duhet pasi të ketë konsumuar duhan.

Duke qenë përdorues për një kohë të gjatë i duhanit, sistemi imituar dobësohet dhe si pasojë kemi efekte në prishjen e shpejtë të dhëmbëve.

Konsumimi i duhanit ndikon shumë në sëmundjet e zgavrës së gojës, mishrave dhe sëmundjet periodontale që shkaktojnë inflamacion përreth dhëmbëve.

Këto inflamacione kanë ndikim të drejtpërdrejtë në strukturën e dhëmbëve, sa më të shpeshta që janë ato, aq më të cenueshëm bëhen dhëmbët tuaj, si pasoj mund të kemi dëmtim të kockave dhe strukturës së dhëmbëve që fatkeqësisht rezultojnë më prishjen dhe humbjen e dhëmbëve.

Ndërsa më e keqja është se konsumimi i duhanit përveç tjerash shkakton edhe kancerin oral, ky lloj i kancerit shumë herë është tejet agresiv si pasojë që enëve të shumta të gjakut dhe nyejve limfatike që gjenden në fytyrë, qafë dhe kokë.

Në mënyrë që ta kuptoni se sa ndikim ka pasur në shëndetin tuaj oral konsumimi i duhanit ju rekomandojmë një kontrollim stomatologjik. Aty do të ekzaminohen dhembët dhe mishrat. Si simptoma më të shpeshta janë skuqja e mishrave, ënjtja dhe ndjeshmëria e dhëmbëve ndaj të ftohtit të nxehtit dhe ushqimeve të ëmbla.

Pastrimi i rregullt i dhëmbëve në shtëpi dhe pastrimi profesional në klinika stomatologjike, ndihmojnë në uljen e efektit të dëmshëm që ka konsumimi i duhanit në shëndetin oral.

Profesionistët shëndetësor luajnë një rol të rëndësishëm në dhënien e këshillave që ndihmojnë në ndërprerjen e pirjes së duhanit. Andaj edhe ju rekomandojmë që të bëni kontrolle të rregullta dentare të cilat përveç tjerash do të ju ndihmojnë që ta lini duhanin, për një gjë të tillë nuk është asnjëherë vonë.

Nëse e lëni duhanin që nga ky moment, përbrenda pak orëve do të fillojë rigjenerimi i mishrave, bie menjëherë rreziku i inflamimit të pjesëve përreth dhëmbëve. Frymëmarrja juaj do të fillojë të lehtësohet. Brenda pak ditëve ju eliminohet aroma e keqe e gojës dhe pas 48 orëve përmirësohet shqisa e shijes.

Tre muaj më pas do ta vëreni rënien e ngjyrës së verdhë nga dhëmbët dhe të zezës nga mishrat e gojës. Pas një viti fillojnë të largohen njollat e bardha në gojë. Të njohura edhe si leukoplakia (këto janë njolla të bardha ose gri në mish dhe brenda faqeve apo në gjuhë). Ndërsa pas pesë viteve rreziku i kancerit të gojës bie përgjysmë. /Telegrafi/

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)