LAJMI I FUNDIT:

Ndihmoni konsumin!

Ndihmoni konsumin!
Ilustrim

Me koronavirusin, shoqëria njerëzore, bota si e njihnim deri më 12 mars, nuk do të jetë kurrë si më parë. Dhe, bashkë me shoqërinë, edhe ekonomia botërore do të jetë ndryshe.

Do të ketë një ekuilibër (normale) të ri, ku konsumi do të dojë shumë kohë të ngrihet në nivelet e paraluftës, pra para shpërthimit të pandemisë. Madje, në shumë sektorë edhe mund të mos ia arrijë për një kohë të gjatë ato nivele, sidomos në transportin civil ajror dhe në turizëm.


Fondi Monetar Ndërkombëtar për këtë vit ka parashikuar që ekonomia botërore do të bjerë me tre për qind. Kur nuk ka rritje ekonomike, është një situatë shumë e keqe, pse nuk ke shtim të konsumit. Konsumi është gjeneratori që vë në lëvizje ekonominë.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ekonominë e Shqipërisë. Do të jemi shumë keq me konsumin këtë vit.

Po sa keq?

Më keq nga të gjithë ne do të jenë sipërmarrjet në turizëm. Rreth 90 mijë vetë punësoheshin gjatë muajve të verës në këtë sektor, për t’ju shërbyer 4.8 milionë vizitorëve, me punonjës hotelesh, motelesh e bujtinash, kamerierë, punonjës plazhi, shoferë, ciceronë turistikë, kuzhinierë, punonjës artizanati e me radhë. Ky sezon veror, me plazhet tona ku nuk mund të qëndrosh më pa distancën një metër nga njeri-tjetri, do të jetë hija e atij të vjetshmit, ku qëndronim aq ngjeshur.

Rreth 17 mijë sipërmarrje në vend janë (ishin) bare dhe restorante. Mund të qëndrojnë mbyllur edhe gjatë gjithë majit. Praktikisht, tre muaj të tërë. Kur të hapen, shumica e tyre nuk do të kenë klientët e paraluftës (koronavirusit). Shumica do të përpiqen të mbijetojnë me një xhiro 20-30 për qind të ditëve përpara 12 marsit. Nuk do të falimentojnë. Ne si shqiptarë e kemi të vështirë të pranojmë falimentimin. Në gati 30 vjet ekonomi tregu, falimentime ndërmarrjesh e kompanish numërohen me gishta tek ne. Dimë të shndërrohemi, të bashkohemi me dikë tjetër, të ndërrojmë profesion, aktivitet, por kurrë të ngremë duart lart.

Por, këto 17 mijë bare dhe restorante nuk do të arrijnë më të punësojnë ata 80 mijë vetë që punësonin përpara pandemisë. Konsumi i ulur do të pjellë orë e çast vetëm të papunë të rinj. Deri tani papunësia është rritur me 68 mijë vetë më shumë në këto 50 ditë nga 12 marsi, ose 40 për qind. Për fat të keq, pritet të dyfishohet deri në fund të vitit. Nga 160 mijë të papunë të regjistruar, mund të shkojmë mbi 300 mijë të papunë.

Po ç’mund të bëjë Qeveria? A ka gjëra në dorë ajo?

Po, ka. Përveç pagesës së luftës gjatë pandemisë dhe pagesës së papunësisë pasi të mbarojë ajo, të cilat thjesht sigurojnë mbijetesën, qeveria duhet të mendojë programet dhe përcaktojë mënyrat se si do t’i ndihmojë sipërmarrjet e vendit. Të mos i lejojë ato të rrënohen në masë nga rënia e fortë e konsumit. Për shembull, për të 13 mijë sipërmarrjet në turizëm (hotele, motele, bujtina, agjenci turistike, restorante buzë detit, udhërrëfyes, dyqane artizanati, etj.), sipas orientimit edhe të Këshillit Botëror të Turizmit, është mirë që taksat dhe tatimet të mos paguhen për një periudhë të paktën 12 mujore (mars 2020 – shkurt 2021). Dhe, jo thjesht vetëm të shtyhen. Sipërmarrjet në turizëm duhet të kenë mundësinë të marrin kredi me përqindje interesi zero, pranë të 12 bankave tregtare të vendit. Interesi të përballohet nga fonde buxhetore.

I njëjti trajtim duhet të ndodhë edhe për gjysmën e bareve dhe restoranteve, pavarësisht se ku janë të vendosura ato në territorin e vendit, pasi edhe ato do të kërkojnë të paktën gjashtë muaj që të marrin veten. Dhe, kjo gjysmë duhet të përcaktohet saktë e me transparencë, pse jo të gjithë pronarët janë në ditë të hallit. Duhet të ndihmojmë si biznesin e vogël edhe të madh. Duke kontrolluar fort dhe parë me imtësi nëse realisht këto sipërmarrje ndodhen në vështirësi. Të parin, pse punëson 250 mijë vetë. Të dytin, pse jep 80 për qind të taksave dhe tatimeve për shtetin. Nëse na gjunjëzohet si një pjesë e mirë e biznesit të vogël (sipërmarrjet turistike, baret dhe restorantet), edhe e të madhit (kompanitë e prodhimit me material porositësi-fason), kompanitë e qendrave të thirrjeve (call centers), do të humbasim shumë më tepër, sesa nëse shtojmë edhe me dy për qind (360 milionë euro) borxhin publik, apo blejmë me lehtësim sasior 400 milionë euro brenda këtij viti për t‘i dhënë para qeverisë.

Janë lëvizje shumë delikate, pse inflacioni mund të kërcejë përpjetë, por duhen bërë me kujdes të madh dhe kurajo. Gjithnjë duke matur ne terren gjendjen e atyre sipërmarrjeve që do të kenë nevojë të ngutshme për oksigjen(mbijetesë). Këto matje nuk bëhen me aplikime dhe ankesa online, por me grupe të përgjegjshme inspektorësh tatimorë apo ekspertë të tjerë të angazhuar nga Ministria jonë e Financave, e Turizmit, etj., duke përdorur edhe ekspertë nga shoqëria civile. Këto grupe, të përbëra nga vetëm dy ekspertë, duhet të nisin inspektimet dhe intervistat njohëse me mijëra bizneset e rrezikuara, që në ditët e para të majit. Nëse duam të ndihmojmë konsumin e këtij vendi, duke mos rrënuar biznesin. Nuk shoh ndonjë rrugë tjetër për të pakësuar dhimbjet e rënies ekonomike për këtë vit.

Vitin tjetër do të rritemi ekonomikisht?

Po! Patjetër. Por, se sa do të rritemi, këtë do ta përcaktojë se si do ta ndihmojmë biznesin e rrezikuar që t’i mbijetojë konsumit të ulur gjatë këtij viti.