Nga: Charlotte Cripps / The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com

Herën e fundit që isha te kasa në [shitoren] Holland & Barrett, shpenzova 155 paundë [178 euro] për vitamina dhe suplemente me një të rënë të lapsit. Kjo ndodhi para se të kuptoja se kisha harruar disa artikuj. Me dy fëmijë nazeli në shtëpi, kam kaluar te standardi i artë i multivitaminave për fëmijë që kushtojnë 28.49 paundë [33 euro] për një shishe, nga e cila pinë me gllënjka në mëngjes.


Sipas shifrave më të fundit, prindërit në Mbretërinë e Bashkuar shpenzojnë mesatarisht 234 paundë [270 euro] në vit për vitamina dhe suplemente për fëmijët e tyre, kryesisht për të forcuar imunitetin dhe përqendrimin. Vetëm 234 paundë? Unë mund t’i shpenzoj aq brenda një muaji. Po ashtu blej suplemente magnezi që mbështesin relaksimin, cilësinë e gjumit dhe një sistem nervor të balancuar (9.99 paundë / 11.5 euro), spërkatës me vitaminën D me K2 (11.95 paundë / 17.7 euro) dhe pika Omega 3 dhe DHA për fëmijë (12.99 paundë / 15 euro). Pastaj janë suplementet e shtrenjta probiotike (12.99 paundë / 15 euro), si dhe kalciumi i lëngshëm, produktet për mbështetje të imunitetit dhe lëngjet me proteina.

Mezi paguaj faturat e energjisë, siç janë tani, dhe përpiqem të shkurtoj shpenzimet për ushqime, por nuk them kurrë jo kur bëhet fjalë për blerjen e këtyre produkteve. Nuk është çudi që 63 për qind e prindërve i konsiderojnë këto produkte gjithnjë e më të shtrenjta.

Sipas hulumtimit nga platforma “bli tani, paguaj më vonë”, Clearpay, 92 për qind e prindërve kanë blerë suplemente për fëmijën e tyre gjatë vitit të kaluar, me multivitaminat, vitaminën C dhe vitaminën D si zgjedhjet më të njohura. Ka një kërkesë të madhe për suplemente të caktuara, me magnezin për fëmijë që është rritur me 296 për qind nga viti në vit. Shitjet e vitaminës D u rritën gjithashtu me 231 për qind, dhe pijet probiotike me 228 për qind. Prindërit i blejnë këto produkte për të ndihmuar në forcimin e imunitetit (51 për qind), shmangien e sëmundjeve (36 për qind) dhe përmirësimin e përqendrimit (24 për qind) - dhe plot 44 për qind e prindërve synojnë të blejnë edhe më shumë këtë vit.

Megjithatë, pavarësisht rritjes së shpenzimeve, 44 për qind e prindërve e kanë të vështirë të kuptojnë nëse këto suplemente funksionojnë vërtet. Kjo nuk duket se ka rëndësi. Oreksi për to vazhdon, me tregun global të vitaminave dhe suplementeve për fëmijë të vlerësuar në 6.3 miliardë dollarë në vitin 2024 dhe që pritet të arrijë mbi 12 miliardë dollarë [10.1 miliardë euro] deri në vitin 2033 - sipas [platformës] Market Intelo-s.

Një pjesë e madhe e industrisë së mirëqenies vjen prej të famshmëve që promovojnë markat e tyre ose i mbështesin ato, si Gwyneth Paltrow, videoja 19-sekondëshe e së cilës në Instagram, në vitin 2023 - duke promovuar një markë probiotikësh në kuzhinën e saj - u bë virale. Kourtney Kardashian shet linjën e saj të probiotikëve. Jennifer Lopez, Elle Macpherson, Venus Williams dhe Tom Brady janë futur të gjithë në botën e suplementeve. Ishte vetëm çështje kohe përpara se, si kujdesi për lëkurën, trendi të zbriste edhe te fëmijët tanë.

Por, për mua, nuk është ndonjë modë kalimtare. Jam vërtet e shqetësuar për dietën e vajzave të mia me mungesë lëndësh ushqyese - përsëri ajo zgjedhshmëria në ushqim - dhe se si kjo mund të ndikojë në shëndetin e zorrëve të tyre. Shëndeti i dobët i zorrëve mund të ndikojë në gjithçka, nga imuniteti dhe tretja te disponimi dhe funksioni kognitiv, dhe tani shkencëtarët në ShBA dhe Gjermani kanë zbuluar gjithashtu se një mikrobiom i shëndetshëm i zorrëve mund të kthejë pas orën e plakjes qelizore dhe shfaqjen e sëmundjeve kronike.

Kritikët e “Nënave të Suplementeve” do të pretendojnë se nëse një fëmijë ha një dietë të shëndetshme dhe të balancuar, nuk ka nevojë për asgjë më tepër. Kjo është mirë, por sa prindër kanë fëmijë nazeli - përfshirë të mitë? Më shumë se gjysma e fëmijëve parashkollorë në Mbretërinë e Bashkuar janë përzgjedhës në ushqim. Në moshën nëntëvjeçare, vajza ime, Lola, ende nuk ha asgjë tjetër përveç gishta peshku [fisl fingers], makarona me domate dhe pica.

Jam torturuar pafund për dietën e saj. Një herë e çova te një nga gurutë më të kërkuar në botë për fobinë ndaj ushqimit, i cili i trajton pacientët me çrregullimin e shmangies ose kufizimit të ushqimit (ARFID). Ai arriti ta nxisë të provojë rreth 20 ushqime që zakonisht as nuk do të ëndërronte t’i hante, por fatkeqësisht efekti nuk zgjati shumë.

Që atëherë kam mësuar se zgjedhshmëria në ushqim shkaktohet nga gjenet, jo nga prindërimi. Një studim i vitit 2024 në Universitetin e Lidsit zbuloi se, mesatarisht, të qenit nazeli ndaj ushqimit ndryshon pak nga mosha 16 muajshe deri në moshën 13 vjeçe. Rreth një në pesë fëmijë në Mbretërinë e Bashkuar ka mungesë hekuri gjithashtu. Fëmijët e mi janë pesshkatarianë - dhe hanë vetëm gishta peshku. Një dietë vegane ose me bazë bimore mund të ketë mungesë të disa lëndëve ushqyese. Ata gjithashtu ndiejnë të përziera vetëm nga mendimi i bananeve, për fat të keq, sepse gjysma e një bananeje është me sa duket ekuivalenti me një dozë magnezi që ofrojnë shumë suplemente.

Sigurisht, duhet të jem e kujdesshme të mos jap dozë të dyfishtë, sepse disa nga suplementet përmbajnë vitamina shtesë që mund t’i marrësh nga multivitamina. Kjo do të thotë se përfundoj duke kaluar orë të tëra duke lexuar etiketat - dhe duke balancuar lëngje, hapa xhelatinozë dhe pika.

Po kërkoj mënyra për të ulur faturat mujore të vitaminave, por të zgjedh cilin suplement të heq, përveç kalciumit të lëngshëm, është vërtet e vështirë. Si mund të heqësh diçka nga shëndeti i fëmijës tënd? /Telegrafi/