LAJMI I FUNDIT:

Ndërron jetë James Gandolfini

Ndërron jetë James Gandolfini
James Gandolfini (Photo by Kevin Winter/Getty Images)

James Gandolfini, aktori i njohur më së shumti për rolin e bosit Tony Soprano në serialin “The Sopranos”, ka ndërruar jetë të mërkurën në Itali në moshën 51-vjeçare.

Aktori raportohet se mund të ketë pësuar sulm në zemër derisa ka udhëtuar në Romë. Ai do të duhej të merrte pjesë në Festivalin e Filmit Taormina në Sicili.

“Ne të gjithë jemi të tronditur dhe të dëshpëruar pa masë me humbjen e anëtarit të familjes tonë”, thuhet në deklaratën e televizionit HBO, që kishte prodhuar serialin “The Sopranos”.

“Ai ishte një njeri i veçantë, një talent i shkëlqyeshëm, por më e rëndësishme një njeri i sinqertë dhe i dashur i cili e trajtonte secilin me respekt të njëjtë, pavarësisht titullit të tyre ose pozitës”.


“Ai ka prekur shumë prej nesh gjatë viteve me humorin, ngrohtësinë dhe përulësinë e tij. Zemrat tona janë me gruan dhe fëmijët e tij gjatë kësaj kohe të tmerrshme. Ai do na mungojë thellësisht të gjithëve”, shkruhet më tej në deklaratë.

Gandolfini ka pasur një karrierë të gjerë filmime, duke u paraqitur në filma hit si “Zero Dark Thirty”, “Get Shorty” dhe “The Mexican”.

Filmi i tij më i fundit ishte “The Incredible Burt Wonderstone”, ku ai luante krahas Steve Carell, Olivia Wilde dhe Jim Carrey. /Telegrafi/