Ndërpritet prodhimi i Tesla Model Y dhe Cybertruck

Tesla po përshtat prodhimin në fabrikën e saj në Austin, Teksas, pas një ndryshimi në kërkesën për crossover-in e saj të njohur Model Y.
Sipas informacionit të zbuluar nga punonjësit, kompania u ka kërkuar punëtorëve në linjën e montimit të Model Y, të marrin një javë pushim ose të paraqiten për detyra pastrimi dhe trajnimi.
Një direktivë e ngjashme iu dha punëtorëve në linjën e montimit të Cybertruck, të cilëve iu tha të "pushonin" gjatë javës së fundit të majit, transmeton Telegrafi.
Modeli Y është makina më e shitur e Teslës dhe këto "rregullime të prodhimit" janë shqetësuese.
Punonjësit kanë deklaruar se pushimi është më i gjatë se zakonisht, disa burime pohojnë se ka pasur një reduktim të orëve shtesë, ndërsa të tjerë pohojnë se menaxhmenti ka ndaluar orët shtesë.
Ky informacion vjen pas raportimeve për orare pune jo konsistente në uzinën e Austin që nga shkurti, ku disa punëtorë pretenduan se ishin dërguar vazhdimisht në shtëpi herët.
Kjo nuk është rregullimi i parë i prodhimit në Austin. Vitin e kaluar, punëtorëve në linjën e prodhimit Cybertruck iu tha të qëndronin në shtëpi për disa ditë.
Kjo ndodhi pavarësisht faktit se Cybertruck i tejkaloi të gjitha kamionçinat e tjera elektrike në shitje në SHBA.
Kërkesa për automjetin kontrovers me sa duket ka rënë ndjeshëm pas bujës fillestare.
Drejtori ekzekutiv i Tesla-s, Elon Musk, parashikoi më parë porosi vjetore prej 250,000 Cybertruck-ësh, por shifrat aktuale të shitjeve paraqesin një pamje tjetër.
Më vonë, pritjet u zbutën dhe qëllimi u caktua në 120,000 njësi, por edhe kjo duket shumë ambicioze.
Të dhënat e Cox Automotive tregojnë se Tesla shiti 38,965 Cybertrucks vitin e kaluar, ndërsa shitjet në tremujorin e parë të këtij viti arritën në 6,406 njësi, një rënie e konsiderueshme krahasuar me tremujorin e tretë dhe të katërt të vitit 2024, gjatë të cilëve shitjet ishin dyfishi i këtij numri.
Fakti që Model Y, burimi kryesor i të ardhurave të Teslës, po kalon një pauzë prodhimi tregon probleme serioze të kërkesës.
Edhe me Modelin Y të rifreskuar, që tani është në prodhim, kompania po përballet me vështirësi.
Vitin e kaluar, Tesla regjistroi një rënie prej 13 përqind në dërgesat globale, rezultati i saj më i keq në dy vjet.
Në SHBA, shitjet ranë me 5.6 përqind, ndërsa industria e përgjithshme e automobilave regjistroi një rritje të shitjeve prej 7.3 përqind. /Telegrafi/

















































