Ndërhyrja e shpejtë në rastet emergjente, në "Shëndeti në rend të parë" me doktor Petrit Mulakun

Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga United Hospital, Petrit Mulaku, mjek specialist në Departamentin e Urgjencës, njëkohësisht drejtor i Departamentit të Emergjencës dhe Koordinator për Cilësi në këtë institucion gjatë bisedës ndau përvojën e tij në vijën e parë të sistemit shëndetësor dhe ofroi këshilla të rëndësishme për qytetarët lidhur me situatat emergjente.
- YouTube www.youtube.com
“Çdo ndryshim akut në gjendjen e individit konsiderohet situatë emergjente”, Mulaku, duke sqaruar se këto ndryshime mund të jenë pasojë e sëmundjeve akute, përkeqësimeve të gjendjes kronike, helmimeve, çrregullimeve mendore të papritura, traumave, rreziqeve nga ambienti si mbytja në ujë apo kafshimet e kafshëve të rrezikshme.
“Çdo ndryshim akut parashihet si urgjencë”, theksoi ai.
Një pjesë thelbësore e diskutimit iu kushtua ndërgjegjësimit të qytetarëve për simptomat që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.
“Njerëzit duhet të dinë kur është koha për të shkuar në urgjencë”, theksoi ai.
“Dhimbjet e gjoksit, ndjenja e shtrëngimit në kraharor, vështirësia në frymëmarrje, dhimbja e fortë në abdomen – këto janë sinjale që nuk duhen injoruar dhe kërkojnë ndihmë të menjëhershme mjekësore”.

Gjatë bisedës u trajtuan edhe temat si: si trajtohen pacientët në gjendje të rëndë në ambientet spitalore, çfarë përmirësimesh mund të bëhen në sistem për rritjen e efikasitetit në menaxhimin e emergjencave, si dhe rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet qytetarëve dhe personelit shëndetësor në situata kritike.
Për më shumë ndiqni podcastin e plotë “Shëndeti në rend të parë”. /Telegrafi/


















































