Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar me një telegram ngushëllimi pas lajmit të rëndë për ndarjen nga jeta të Shpat Kasapit.

Ai shprehu dhimbjen dhe tronditjen për humbjen e artistit të njohur, duke e cilësuar ikjen e tij të parakohshme si të padrejtë dhe të rëndë për gjithë publikun.


Shpati ndërroi jetë në moshën 40-vjeçare si pasojë e një arresti kardiak.

Shpat Kasapi

Më poshtë telegrami i plotë i kryeministrit Kurti:

"E nderuar familja Kasapi,Me zemër të rënduar pranova lajmin për ndarjen nga jeta të Shpatit.

Një ikje e tillë, e papritur dhe e parakohshme, dhemb shumë dhe vjen si e padrejtë.

Tingëllon edhe e pavërtetë, aq i ri ishte dhe gjithë atë energji e mbante dhe e rrezatonte.Humbja e tij na ka prekur të gjithëve, pa marrë parasysh profesionet apo gjeneratat.

Shumë breza të pasluftës janë rritur me figurën e tij dhe këngët emblematike.

Ai ka mbajtur një vend të veçantë në zemrat e të gjithëve si një djalë punëtor, i qeshur, dhe mbi të gjitha, shumë karizmatik.

Komuniteti artistik ka humbur njërin nga figurat më të dashura të tij, sepse secili prej tyre ka vetëm fjalë të mira për Shpatin.

Muzika e tij ka arritur të bashkojë shqiptarë gjithandej botës, por më së shumti ka bashkuar shqiptarët e Kosovës e të Luginës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Ky kontribut i tij do të mbetet përherë i pashlyeshëm.

Ngushëllime gjithë familjes Kasapi, komunitetit artistik, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Ngushëllime zonjës Gjylymser, zonjës Selvije dhe djalit Roel.

Zoti u dhashtë forcën për të përballuar këtë humbje.

Me respekt të thellë,

Albin Kurti

Kryeministër i Republikës së Kosovës". /Telegrafi/