LAJMI I FUNDIT:

Ndalohet shitja e “Coca Cola” dhe “Pepsi” në Tamil Nadu të Indisë – për disa arsye

Ndalohet shitja e “Coca Cola” dhe “Pepsi” në Tamil Nadu të Indisë – për disa arsye

Tregtarët në shtetin indian Tamil Nadu ndaluan shitjen e “Coca Cola”-s dhe “Pepsi”-t, në favor të produkteve lokale.

Ndalimi i këtyre dy pijeve të ëmbla u propozua nga dy shoqata kryesore të tregtarëve në këtë shtet dhe hyri në fuqi të mërkurën.


Masa e tyre u kritikua nga Shoqata indiane e Pijeve, e cila tha se “Coca Cola” dhe “Pepsi” punësojnë mijëra njerëz në Tamil Nadu dhe ndalimi i shitjeve të këtyre produkteve është një lëvizje që shkon kundër rritjes ekonomike.

Por sipas shoqatave të tregtarëve, ka disa arsye pse ata ndaluan shitjen e “Coca Cola”-s dhe “Pepsi”-t.

Më kryesorja duket të jetë sasia e madhe e ujit, që fabrikat e këtyre pijeve marrin nga lumenjtë, duke lënë në vështirësi fermerët që mbesin pa ujë për të ujitur arat në kohë thatësire.

Tregtarët thanë se studime të njëpasnjëshme kanë treguar se pijet e ëmbla si “Coca Cola” dhe “Pepsi” kanë përmbajtje të lartë sheqeri dhe kimikatesh, pra janë tepër të dëmshme për organizmin.

Ndërkohë, alternativat lokale si uji i arrave të kokosit janë shumë më të shëndetshme, e mbi të gjitha ndihmojnë shitjet dhe promovojnë pijet e ëmbla indiane.

Mediet indiane thonë se në dyqane ka ende “Coca Cola” dhe “Pepsi”, përcjell tch, pasi shitësit nuk mund t’i hedhin ato, por pas ezaurimit të rezervave pritet që mbi një milion dyqane të respektojnë ndalimin.

Shoqatat e tregtarëve u kanë kërkuar edhe supermarketeve, restoranteve dhe hoteleve që t’i bashkohen vullnetarisht masës së marrë.

Aktualisht, “Pepsi” dhe “Coca Cola” nuk e kanë komentuar ndalimin e shitjeve të produkteve të tyre në këtë shtet indian.