Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka shpallur “heronj të punës” katër kolegët e tyre që humbën jetën në vendin e punës – Migjen Sadikun, Milazim Binakun, Haxhi Gojnovcin dhe Arbenit Ahmetin.

Fotot e tyre, në një aksion simbolik janë vendosur, të martën, para zyrave të selisë së KEK-ut, në Prishtinë.


Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari, tha se ky aksion synon të rikujtojë përgjegjësinë e institucioneve dhe menaxhmentit për sigurinë e punëtorëve.

"Dje, me vendim të kryesisë dhe të këshillit ekzekutiv të sindikatës së re, këta punëtorë, Migjen Sadikun, Milazim Binakun, Haxhi Gojnovcin dhe Arbenit Ahmetin, sindikata e re i shpall hero të punës, me mirënjohje post mortum...Kërkojmë nga institucionet e Republikës së Kosovës, nga korporata energjetike e Kosovës, të respektohet ligji i punës. Sepse pa respektimin e ligjit të punës, punëtori e humb të drejtën me punu dhe me jetu...Ndoshta me një menaxhim më të mirë, me një siguri më të madhe, sot ata do të ishin në mesin tonë", u shpreh ai.

Ndërkohë, nënkryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, tha se krahas aksionit para KEK-ut, sindikata do të zhvillojë edhe një aksion simbolik, të mërkurën, para Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) teksa kritikoi udhëheqjen e kësaj të fundit se nuk ka reaguar sa duhet për çështjet që lidhen me të drejtat dhe sigurinë e punëtorëve.

"Ne sot kemi vendos, përveç atyre që tha kryetari dhe i shpall-i punëtorët e vdekur aksidentalisht në vitin 2026 hero, me vendimin e kryesisë do të shkojmë dhe ta bëjmë një simbolikë ngjashme te Bashkimi i Sindikatave të Pavarura, përkatësisht kryetari i vetëquajtur, i cili asnjëherë nuk e ngriti zanin për asnjë punëtor. Kryetari i punëtorëve nuk flet për punëtorët. Paramendo, kjo tregon qartë se sa aktiv është kryetari i BSBK-së bashkë me BSBK-në e vetëquajtur. Nga këtu na nisni edhe atje në një aksion simbolik, ku do të bëjmë edhe fotografinë e këtyre 4 punëtorëve, si shenjë e revoltës që nuk ka folur asnjëherë deri më dje, që dje e kishin pas thirrë menaxhmenti i KEK-ut në një takim, e ia kanë nxitë ndërmend që është sindikalista. Nuk i ka ditur as vetë, e as nuk e dinë si është zgjedhur, e nuk flet për punëtorët, e kjo është e tmerrshme", ka thënë ai.

Ani se paralajmëruan aksion simbolik para BSPK-së, të mërkurën, pjesëtarët e Sindikatës së Re të KEK i vendosën fotografitë e kolegëve të tyre të vdekur edhe para selisë së kësaj sindikate.

KosovaPress është duke u përpjekur të marrë një koment të kryetarit të BSPK-së, për kritikat që iu bënë nga përfaqësuesit e punëtorëve të KEK-ut. /KP/