LAJMI I FUNDIT:

Ndahen 10 milionë euro për skemën ‘Qeveria për familjet’

Ndahen 10 milionë euro për skemën ‘Qeveria për familjet’

Qeveria e Kosovës në mbledhjen elektronike të mërkurën, ka marrë vendim për ndarjen e 10 milionë eurove për skemën “Qeveria për familjet”.

“Qeveria ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 13/19 të datës 14 korrik 2021 me ndryshimet dhe plotësimet e bëra, lidhur me Pakon e Ringjalljes Ekonomike. Plotësimi dhe ndryshimi i vendimit i shton Masës 1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike edhe masën 1.8 – Skema “Qeveria për familjet”- për të cilën ndahen 10 milionë euro”, njoftoi Zyra e Kryeministrit.


Rreth këtij vendimi, ministri i Financave, Hekuran Murati, në një konferencë për media pati thënë se masa ka për qëllim t’i ndihmojë familjet të cilat nuk kanë asnjë anëtarë të punësuar.

Për këtë kategori, shteti pritet të mbulojë deri në 70 për qind të pagës bruto, maksimumi deri 300 euro, për gjashtë muaj rresht.

Ndërkaq, për të përfituar nga kjo janë caktuar kritere.

“Të jetë i moshës 18-64 vjeç, të mos ketë të punësuar asnjë anëtar të familjes, të jetë apo të regjistrohet si punëkërkues në Agjencinë e Punësimit”, pati deklaruar Murati.