1 DEKADË, MBI 1,000 VULLNETARË: Gjenerata që u rrit me Meeting of Styles Kosovo

Që nga edicioni i parë në Prishtinë në vitin 2017, Meeting of Styles Kosovo ka krijuar një komunitet të madh të rinjsh që janë bërë pjesë e festivalit si vullnetarë. Me kalimin e viteve këta persona janë bërë ata që e mbajnë në këmbë festivalin e graffiti-it.
Në çdo edicion janë përfshirë deri në 100 vullnetarë, dhe për shumë prej tyre Meeting of Styles ka qenë kontakti i parë me artin urban, me artistë ndërkombëtarë dhe me një komunitet që punon për ta ndryshuar hapësirën publike.
Por për MOS Kosovo, vullnetarizmi është shumë më tepër se angazhimi gjatë tri ditëve të festivalit.
Në vitet e fundit, një pjesë e rëndësishme e organizimit është mbështetur pikërisht nga vullnetarët. Komunikimi me artistët, aktivitetet, përmbajtjet që publiku sheh në rrjetet sociale, angazhimi me komunitetin dhe shumë prej proceseve që ndodhin prapa skenës janë rezultat i punës së tyre.

Disa prej tyre janë pjesë e festivalit prej pesë apo gjashtë vitesh radhazi. Ata e njohin MOS Kosovo, e njohin ritmin e tij, njerëzit, artistët dhe mënyrën se si funksionon.

Sot, rreth 15 antarë të stafit janë pikërishtë po ata që dikur kanë qenë pjesë dedikuar e ekipit të vullnetarëve. Ata punojnë ngushtë gjatë gjithë vitit në organizimin e MOS Kosovo, duke u angazhuar në përgatitjet, komunikimin dhe zhvillimin e aktiviteteve. Ndërkohë, gjeneratat e reja që i bashkohen festivalit për herë të parë shpesh nuk largohen pas përfundimit të tij. Shumë prej tyre vazhdojnë të jenë pjesë e aktiviteteve të Q’art gjatë gjithë vitit.
Kjo ka krijuar gjenerata: disa që kanë qenë pjesë e festivalit që nga fillimet, disa që janë bashkuar më vonë dhe të rinj që sapo e zbulojnë MOS Kosovo. Në njëfarë mënyre, MOS Kosovo është bërë një vend ku ata mund të mësojnë, të krijojnë kontakte, të zhvillojnë aftësi dhe të jenë pjesë e diçkaje që është më e madhe se vetë festivali.

Dhe ndoshta kjo është një nga arsyet pse MOS Kosovo ka arritur deri te edicioni i tij i 10-të. Në prapaskenë- pas mureve, artistëve dhe festivalit që shihet nga publiku, ekziston një komunitet njerëzish që çdo vit rikthehet për ta bërë festivalin të ndodhë.
Në 1 dekadë mbi 1,000 vullnetarë krijojnë gjeneratat që erdhën për të ndihmuar, e pastaj e gjetën veten duke qëndruar në familjen e Meeting of Styles Kosovo për ta ndërtuar komunitetin e tyre.









































