LAJMI I FUNDIT:

Nataliteti në Maqedoni nuk jep shenja premtuese

Nataliteti në Maqedoni nuk jep shenja premtuese

Në Maqedoni gjithnjë e më pak lindin fëmijë, kështu tregojnë statistikat zyrtare. Në vitin 2014, janë lindur 20,890 fëmijë, që është 6871 më pak se në vitin 2002. Hulumtimet tregojnë se subvencionet për fëmijë të tretë nuk kanë efekt mbi normën e përgjithshëm të rritjes natyrore të popullsisë, përveç në vitin 2009, kur paguheshin shtesa për fëmijën e dytë dhe të katërt, transmeton Telegrafi Maqedoni.

“Programi për subvencionim të fëmijës së tretë shumë vështirë justifikohet në aspektin e shpenzimeve aktuale që bëhen duke pasur parasysh se nuk kemi rritje drastike të natalitetit në vend”, deklaroi për Alsat-M, Dimitar Nikollovski, profesor universitar.


Që nga viti 2009, kur filluan subvencionet, rritet numri i lindjes së fëmijëve të tretë. Sipas të dhënave, në vitin 2014, janë lindur 3366 fëmijë të tretë, ndërsa në vitin 2009 ka pasur 2634.
Para kësaj numri i fëmijëve të tretë ka qenë vazhdimisht në rënie.

Megjithatë, paralelisht me rritjen e lindjes së fëmijëve të tretë, zvogëlohet numri i lindjes së fëmijëve të parë dhe të dytë. Në vitin 2014 kanë lindur 3.196 fëmijë të parë më pak se në vitin 2002 derisa në vitin 2014 kanë lindur 1.835 fëmijë të dytë më pak se në vitin 2002. Kjo është arsyeja pse ekonomistët konsiderojnë se masa duhet rimodeluar, por sipas tyre, gjëja më e rëndësishme është të krijohet mjedis më i mirë ekonomik që do ti motivonte natyrshëm familjet të kenë fëmijën e parë dhe të dytë./Telegrafi/