LAJMI I FUNDIT:

MZHE e mban të “fshehur” koston e përkthimit të kontratës për “Kosovën e Re”

MZHE e mban të “fshehur” koston e përkthimit të kontratës për “Kosovën e Re”

Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE), e cila drejtohet nga Valdrin Lluka është duke mbajtur të “fshehur” koston e përkthimit të kontratës në Gjuhën Shqipe nga Gjuha Angleze për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

Kontrata voluminoze ka pasur vonesa edhe në përkthimin në Gjuhën Shqipe, përkundër premtimeve të ministrit Valdrin Lluka.


Në kabinetin e Valdrin Llukës, kthimin e përgjigjeve e kanë e hedhur herë te njëri, e herë të tjetri edhe pse kanë kaluar më shumë se një javë që i janë dërguar pyetjet.

Fillimisht Telegrafit i është thënë se të gjitha janë të publikuara në ueb faqen e MZHE-së, pastaj kur i është kërkuar informata të kompletuara për koston kanë thënë se çmimi për faqe është 12 euro.

MZHE vonohet me publikimin e kontratës për 'Kosovën e Re' në Gjuhën Shqipe
Lexo po ashtu MZHE vonohet me publikimin e kontratës për 'Kosovën e Re' në Gjuhën Shqipe

“Përkthimi i një faqe ka kushtuar 12 euro”, kanë treguar në Kabinetin e ministrit Lluka. Por ku është kërkuar kostoja totale dhe informacione se cila kompani e ka përkthyer. Sa ka qenë kostoja totale?, Sa faqe i ka kontrata? kanë munguar përgjigjet nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Madje njëri prej këshilltarëve të ministrit Lluka ka thënë se kjo çështje është e sekretarit të MZHE-së. “Bisedova edhe me ministrin, e ai më tha që këto punë janë të sekretarit”, ka thënë ai, pa dhënë detaje tjera për çfarë u është kërkuar nga Telegrafi për ditë të tëra.

Kurse Rinora Gojani nga Balkan Green Foundation ka thënë për Telegrafin se projekti i Termocentralit “Kosova e Re”, nuk është transparente. Sipas saj, edhe në kontratën e publikuar është përdorur 7 herë fjala konkretisht, ka edhe çështje të cilat referohen si “informacion i rezervuar”.

Sipas Gojanit, Termocentrali “Kosova e Re”, është projekti me i dëmshëm dhe me shumë efekte negative për vendin.

“Balkan Green Foundation dhe organizatat tjera që e përcjellin sektorin e energjisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm në vend në vazhdimësi kemi kritikuar procesin jo-transparent të zhvillimit të projektit të Termocentralit ‘Kosova e Re’. Kjo që nga parakualifikimi i kompanive dhe ndryshimi i pakos tenderuese. BGF-it i është mohuar qasja ne dokumente zyrtare të shumta mirëpo dy nga kërkesat që janë mohuar tërësisht janë: te publikohet kërkesa përfundimtare për propozim e cila është dërguar tek kompanitë parakualifikuese dhe ndryshimet në paketën e tenderimit që kanë ndodhur që nga thirrja e parë për parakualifikim deri më tani, dhe arsyet për ndryshime të tilla”, tha Rinora Gojani.

Sipas saj, pavarësisht ndikimeve financiare qeveria e Kosovës duhet të tërhiqen nga ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re”

Ministri Lluka publikon kontratën për “Kosovën e Re” (Video)
Lexo po ashtu Ministri Lluka publikon kontratën për “Kosovën e Re” (Video)

“Qeveria e Kosovës duhet që menjëherë të tërhiqet nga marrëveshja për ndërtimin e Termocentralit ‘Kosova e Re’ përkundër implikimeve financiare që mund të ketë tërheqja nga nënshkrimi i kontratës. Ngase demet që do të shkaktohen po që se ky projekt jetësohet janë tejet të mëdha. Ndërtimi i Termocentralit ‘Kosova e Re’ paraqet kosto katastrofale mjedisore, shëndetësore e sociale që tejkalojnë përfitimet ekonomike te proklamuara”, ka thënë Rinora Gojani nga Balkan Green Foundation.

Ndryshe garën për ta ndërtuar Termocentralin “Kosova e Re” në vlerë prej 1.3 miliard euro, e ka fituar kompania Contour Global. /Telegrafi/