LAJMI I FUNDIT:

Ministri Lluka publikon kontratën për “Kosovën e Re” (Video)

Ministri Lluka publikon kontratën për “Kosovën e Re” (Video)

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka publikuar të premten kontratën komerciale të nënshkruar nga Qeveria e Kosovës dhe investitori “Contour Global” për projektin e ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”, i cili do të prodhojë 500 megavatë orë energji elektrike si dhe do të mundësoj investimin e 1.3 miliard eurove.

Lluka ka thënë se publikimin e kontratës e kishin premtuar më herët, deri sa ai në një konferencë për media ka thënë se kontrata ka mbi 1000 faqe.


“Të gjithë qytetarët kanë qasje të hapur në kontratën e pa prekur që do shpërndahet në të gjitha format, në ueb faqen e ministrisë dhe ta diskutojmë në ditët në vijim për çdo pyetje që kemi rreth asaj kontrate. Qëllimi ishte të jemi transparent në punën e bërë nuk ka asnjë ndryshim nga kontrata nga ajo që e kemi nënshkruar para vitit të ri”, tha Lluka.

Ai nuk ka treguar se a do të shtrenjtohet energji elektrike pas ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”.

“Çmimi është vështirë të thuhet sa do ndikojnë faktorët siç janë kushtet e kredisë sepse 70% do të jenë në formë të kredive dhe interesi i kredisë luan rol në koston të energjisë jemi të gjejmë një kredi të financuar nga shtetet siç janë nga Japonia që kanë norma të buta të interesit apo pa interes fare”, tha ministri i MZHE-së, Valdrin Lluka.

Qeveria e Kosovës sipas tij, nuk ka obligime financiare, obligim ka vetëm furnizimi i termocentralit të ri me thëngjill dhe ujë.

“Obligim tjetër më i madh që kemi blerja e energjisë elektrike që gjeneron termocentrali, sigurimi i vendit për deponimin e hirit këto janë obligimet që i marrim, do të jetë investim kapital”, ka treguar Lluka.

Marrëveshja me kompaninë amerikane “Contour Global” ishte nënshkrua më 20 dhjetor të vitit 2017, me investime prej 1.3 miliard euro duke vënë në funksion njësinë e re prej 500 megavatesh brenda një periudhe katërvjeçare.

Termocentrali “Kosova e Re” do të jetë i ndërtuar me teknologjinë më moderne me ndotje minimale të mjedisit. /Telegrafi/