LAJMI I FUNDIT:

MZHE: Drejtori i Trepçës nuk ka pasur mandat

MZHE: Drejtori i Trepçës nuk ka pasur mandat

Në një njoftim për media, Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) sqaron se mandati i drejtorit të Trepçës ka përfunduar me datë 5 shkurt 2018 dhe se ministri Valdrin Lluka ka pranuar një kërkesë nga ana e ish-menaxherit të Trepça Sh. A. Ahmet Tmava, për qasje në bankë, të cilën e ka refuzuar, duke pasur në konsideratë që kërkesa si e tillë është jo e ligjshme dhe e parashtruar nga një ish-menaxher, të cilit i ka përfunduar mandati.

“Fillimisht na lejoni të sqarojmë për opinionin, që mandati i drejtorit të Trepça Sh. A. ka përfunduar me datën 5 shkurt 2018, andaj, cila do letër “dorëheqje”, është tendencioze, jo e sinqertë dhe nuk krijon pasoja juridike. Ministria e Zhvillimit Ekonomik është e obliguar që të respektoj afatet dhe dispozitat ligjore për gjithë secilin udhëheqës të cilës do ndërmarrje publike, pra edhe për ish-menaxherin e Trepça Sh. A., Ahmet Tmava”, thuhet në njoftimin e MZHE-së, përcjell Telegrafi.


Jep dorëheqje drejtori Trepça-s, Ahmet Tmava
Lexo po ashtu Jep dorëheqje drejtori Trepça-s, Ahmet Tmava

MZHE njofton se është në fazën përfundimtare të përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës të Trepçës.

“Po ashtu, dëshirojmë të potencojmë se që nga marrja e mandatit Ministri Lluka në muajin shtator 2017 ka qenë i angazhuar me të gjitha kapacitetet dhe ka trajtuar me prioritet çështjet që kanë të bëjnë me funksionimin dhe administrimin e Trepça Sh. A., si rezultat jemi në fazën përfundimtare të përzgjedhjes së anëtareve të Bordit Mbikëqyrës, të cilët janë të vetmit me kompetencë ekskluzive për përzgjedhjen e stafit menaxherial si dhe marrjes së vendimeve strategjike dhe në interes të ndërmarrjes”, vijon njoftimi.

Ministria sqaron se “Me datën 28 shkurt 2018, ministri Lluka ka pranuar një kërkesë nga ana e ish-menaxherit të Trepça Sh. A. Ahmet Tmava, për qasje në bankë, të cilën e ka refuzuar, duke pasur në konsideratë që kërkesa si e tillë është jo e ligjshme dhe e parashtruar nga një ish-menaxher, të cilit i ka përfunduar mandati. Në këtë drejtim, si dhe duke marrë parasysh interesin e punëtorëve dhe në përgjithësi të afarizmit të ndërmarrjes ka kërkuar që autorizimi për të operuar me paranë e ndërmarrjes të bartet tek personat kompetentë, në përputhje me aktet ligjore në fuqi si dhe praktikën e deritanishme”.

“Pretendimet për ndërhyrje të çfarëdo lloji janë të pabaza dhe qartësisht kanë për qëllim keq-informimin e opinionit publik e mbi të gjitha arsyetimin e veprimeve të njëanshme të ish-menaxherit Tmava, i cili pa kurrfarë njoftimi paraprak tek aksionari (në këtë rast Ministria e Zhvillimit Ekonomik), vendos të marrë pjesë në aktivitete, të cilat implikojnë shpenzime financiare për ndërmarrjen e të cilat janë në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/