LAJMI I FUNDIT:

Mustafa: Për keqardhje mungesa e kuorumit për të votuar Projektbuxhetin

Mustafa: Për keqardhje mungesa e kuorumit për të votuar Projektbuxhetin

Ka ngelur më pak se një muaj deri në përfundimin e vitit kalendarik, por Kuvendi i Kosovës ende nuk e ka miratuar buxhetin për vitin që po na pret.

Në seancën e sotme plenare, pas një debati dyditësh, në mungesë të kuorumit, Projektbuxheti për vitin 2018, nuk i ka marrë votat e nevojshme të kuvendarëve në Parlament.


Për projektbuxhetin kanë votuar vetëm 58 deputetë që nuk ka kuorum për t’u miratuar, pasi që opozita nuk ka dashur të marrë pjesë në votim.

Ish deputeti dhe profesori i ekonomisë, Muhamet Mustafa, në një prononcim për Telegrafin ka theksuar se fakti se mungojnë deputetët e pozitës për ta votuar projekt buxhetin, është për keqardhje.

Sipas tij, buxheti mbetet dokumenti më i rëndësishëm i politikave ekonomike për vitin që po vjen.

“Edhe mos pjesëmarrja e ministrave në seancë, është një shenjë jo i mirë, që tregon mungesën e seriozitet të tyre. Buxheti kërkon debat shterues dhe të argumentuar, kurse mbështjellja me diskurs politik, nuk i kontribuon debatit të argumentuar”, ka shtuar Mustafa, për Telegrafin.

Sipas tij, sa më shpejt që kalon leximi i parë projektbuxhetit, lë hapësirë për diskutim në leximin e dytë, në mënyrë që të konfrontohen argumentet.

“Fakti që opozita i ka vetëm 61 deputetë dhe nuk ka ndonjë grup parlamentar që është shumë i interesuar për formimin institucional, e bën situatën fragjile”, ka theksuar Mustafa.

Ndryshe, derisa ministri i Financave e ka arsyetuar këtë projektbuxhet, ligjvënësit nga opozita, kanë qenë të zëshëm në kritikat ndaj këtij projeksioni financiar./Telegrafi/