LAJMI I FUNDIT:

Mustafa Bajrami thotë se puçi në Turqi s’ishte pasojë e pakënaqësive të popullit, por e një grupi në Ushtri (Video)

Mustafa Bajrami thotë se puçi në Turqi s’ishte pasojë e pakënaqësive të popullit, por e një grupi në Ushtri (Video)

Një javë pas tentim puçit në Turqi, ku një pjesë e Ushtrisë turke tentuan të rrëzonin pushtetin e presidentit Recep Tayyip Erdogan, doktori i shkencave islame, Mustafa Bajrami, në emisionin “Kontakt” me Valdrin Krasniqin në Tribuna Channel, ka deklaruar se pjesa dërrmuese e ushtarëve dhe oficerëve puçistë kanë qenë të mashtruar dhe të shantazhuar.

Ai ka deklaruar se atyre u është thënë se kishin për të kryer një ushtrim ushtarak, ku mund ta gjuanin me armë këdo që u dilte përpara. Njëjtë, sipas tij, është vepruar edhe me tentimin për vrasjen e Erdoganit, ku personave që i shkuan në hotel u ishte thënë se do kapnin një lider të terroristëve.


Ai ka shprehur bindjen se puçi nuk ishte si pasojë e pakënaqësisë së popullit karshi Erdoganit, por një organizim i një grupi të caktuar e të vogël.

Bajrami ka thënë se përderisa njerëzit përreth Fethullah Gulenit – që akuzohet për puç nga Erdogani – nuk shprehën ambiciet e tyre për pushtet, ato luanin rol me rëndësi në jetën sociale turke dhe jo vetëm atje.

“Përpjekjet për të marrë pushtetin nga njerëz të Gylenit mund të jetë bërë pa dijen e Gylenit, por edhe mund të ketë funksionuar me dijen dhe direktivat e tij”, thotë ai. /Tribuna/