Musmurati fton qytetarët të raportojnë lodrat e dëmtuara në këndet e lojërave në Prishtinë

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besiana Musmurati ka njoftuar nisjen e një iniciative për renovimin e lodrave të dëmtuara në këndet e lojërave në lagjet e kryeqytetit, duke ftuar qytetarët të kontribuojnë përmes raportimit të rasteve.
Musmurati tha se siguria e fëmijëve në hapësirat publike është përgjegjësi e përbashkët, ndërsa theksoi se Komuna ka filluar procesin e identifikimit dhe renovimit të lodrave të dëmtuara.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo lodër të dëmtuar duke dërguar lokacionin e këndit të lojërave, një fotografi nëse është e mundur dhe një përshkrim të shkurtër të dëmtimit në adresën elektronike të drejtoria e parqeve.
Sipas nënkryetares, kërkesat që do të parashtrohen gjatë dy javëve të para do të trajtohen me prioritet, me qëllim që këndet e lojërave të bëhen më të sigurta dhe funksionale për fëmijët në të gjitha lagjet e Prishtinës. /Telegrafi/


































