LAJMI I FUNDIT:

Musliu: Presim sqarimin e kryeministrit për pozicionin e drejtorit të AKI-së

Musliu: Presim sqarimin e kryeministrit për pozicionin e drejtorit të AKI-së

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu ka deklaruar se Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së pret sqarim nga kryeministri Ramush Haradinaj lidhur me pozicionin e drejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

Këto komente ajo i bëri pas mbledhjes së Komisionit Parlamentar për Mbikqyrjen e Agjencionit Kosovar të Intelegjencës (AKI), takim në të cilin ka munguar drejtori i këtij institucione Driton Gashi, i ftuar të raportonte për depërtimin e gjashtë shtetasve turq.


Zëvendëskryetarja e këtij komisioni, Ganimete Musliu tha se sot ishte hera e tretë që i është dërguar ftesë AKI-së për të raportuar para Komisionit, porse një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Madje, lidhur me deklaratat e kryeministrit, se ai e ka kryer punën sa i përket kësaj çështje, ajo tha se kjo çështje nuk përfundon pa u sqaruar njëherë e mirë pozicioni i drejtorit të AKI-së.

Përveç kësaj, ajo tha se nuk do të ndalen si komision derisa të kenë një sqarim të saktë nga AKI lidhur me atë që ka ndodhur ditën e arrestimit të gjashtë .

“I kemi bërë tri kërkesa, dy herë e kemi ftuar të premten, dhe sot është hera e tretë dhe jemi pa përgjigje. Ajo çka u vendos si Komision, pas diskutimeve, është që në rend të parë të marrim një sqarim nga kryeministri, saktë të dimë për pozicionin e drejtorit të AKI-së, se është liruar apo vazhdon të jetë në detyrë. Sepse në bazë të ligjit dhe kompetencave që i kemi si Komision Parlamentar për mbikëqyrje të AKI-së, dhe në bazë të praktikave të kaluara, ne është dashur të kemi një dokument zyrtar, ose një vendim zyrtar nga Zyra e Kryeministrit dhe të njoftohemi në detaje për hapat që janë marrë për lirim e detyrës. Deri më sot, kur unë po flas, ne nuk kemi një dokument të tillë, andaj pa u sqaruar pozicioni i tyre, ne nuk do të vazhdojmë me ftesa të tjera, sepse pavarësisht se është shumë e rëndësishme t’i kemi ata këtu, ta informojmë publikun dhe vet të informohemi si deputetë sepse jemi total tà « painformuar sa i përket ngjarjes, e kemi të pamundur të ftojmë dikë tjetër”, theksoi Musliu.

Ndryshe, Kryeministri Haradinaj në një konferencë për media ka folur edhe një herë lidhur me shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Flamur Sefaj dhe drejtorit të AKI-së, Driton Gashi. E për largimin nga detyra për këtë të fundit, ai ka thënë se është proces i përbashkët, ku gjysma e punës është kryer dhe gjysma e punës ka mbetur në kompetencat e presidentit për t’u kryer. /Telegrafi/