LAJMI I FUNDIT:

“Mural Fest” në hapësirat urbane të Tiranës

“Mural Fest” në hapësirat urbane të Tiranës

Duke falënderuar artistët e ardhur nga 15 vende të ndryshme të botës, kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, e cilësoi fantastike eksperiencën që i jep më shumë ngjyra qytetit.

Ai veçoi se kjo nismë do të kthehet në një traditë të re për kryeqytetin, që Tirana të ruajë reputacionin e qytetit të ngjyrave, si një kartolinë e Shqipërisë evropiane.


Një prej artisteve pjesëmarrëse në këtë festival ngjyrash ishte edhe Noel Gazzano nga Italia, e cila theksoi se kjo nismë ka shumë vlera pasi përçon artin dhe njëkohësisht krijon një urë ndërmjet institucioneve, botës së artit bashkëkohor dhe njerëzve.

“Gjëja më e bukur e kësaj eksperience është se ndërsa pikturoja për tre ditë, me qindra njerëz ndalonin, disa fëmijë donin të pikturonin me mua dhe të gjithë më falënderuan. Jam ndierë vërtet e mirëpritur”, u shpreh artistja italiane, Noel Gazzano.

“MuralFest Tirana 2018”, lindi si fryt i bashkëpunimit mes Bashkisë së Tiranës dhe laboratorit italian 167/B Street nga Leçe.

Veprat murale nëpër qytetet kryesore të botës si Berlin, Londër, Vankuver etj janë kthyer në një instrument tërheqës për rritjen e turizmit dhe njëkohësisht kanë ndikuar në përmirësimin e mjaft problematikave ekonomike, mjedisore dhe sociale me të cilat ballafaqohen sot qendrat urbane. /Vizion/