LAJMI I FUNDIT:

A mund të hajë një nënë gjidhënëse ushqim që shkakton fryrje?

A mund të hajë një nënë gjidhënëse ushqim që shkakton fryrje?

Këshilla të rëndësishme për nënat e reja

Një ushqim i ekuilibruar është i rëndësishëm gjatë gjithë jetës, veçanërisht gjatë shtatzënisë dhe ushqyerjes me gji, sepse gjatë vetë aktit të ushqimit të foshnjës me gji, nëna harxhon forcë dhe energji.


– Ushqimi adekuat nënkupton marrjen e një sasie të mjaftueshme të proteinave dhe vitaminave, përkatësisht tri vakte dhe dy mesvakte.

Në veçanti, duhet të kthejmë kokën pas dhe të “thyejmë” paragjykimet dhe mitet që ekzistojnë ende për llojet e ushqimeve që mund të hajë një nënë që e ushqen foshnjën me gji.

Gjatë periudhës së ushqyerjes me gji nuk rekomandohet të hani ushqime të prodhuara në mënyrë industriale, veçanërisht ushqime të konservuara, ushqime gjysmë të gatshme dhe të gatshme dhe produkte mishi, transmeton Telegrafi.

Ushqimi gjatë ushqyerjes me gji duhet të bazohet në elementet e mëposhtme:

1. Proteinat: ka shumicën e tyre në të gjitha llojet e mishit. Mishi është mirë të hahet i zier, por të shmanget mishi i skuqur. Gjithashtu nuk duhet të hani mish jo të pjekur mirë (sushi dhe biftek tartare).

2. Peshku: preferohet mishi i peshkut që nuk ha peshq të tjerë, si salmoni, sardelet, saragat dhe merluci.

3. Vezët: duhet t’i hani tri herë në javë.

4. Frutat arrore: duhet të hahen edhe lajthitë, arrat dhe bajamet, por me masë; një grusht në ditë sepse janë alergjenë të mundshëm.

5. Qumështi dhe produktet e qumështit: duhet të konsumohen në sasinë e një filxhani në ditë.

6. Fasulet, bishtajat, bizelet, lakra, brokoli, lulelakra, lakra jeshile, lakrat e Brukselit, preshi, qepa dhe hudhra: lejohen gjatë ushqyerjes me gji dhe nuk janë përgjegjëse për dhimbje barku tek foshnjat.

7. Drithërat: sidomos ato integrale, gruri, orizi, misri, elbi, meli, kinoa, duhet të konsumohen në formë drithërash, bollgur ose miell.

8. Perimet: të paktën dy porcione në ditë.

9. Frutat: konsumoni të gjitha llojet e frutave, të kuqe dhe manaferra (alergjenë të mundshëm), një grusht në ditë.

Është shumë e rëndësishme të shpjegohet se është e nevojshme të futen alergjenët e mundshëm, natyrisht në sasi të kufizuar, si dhe ato ushqime që përdoren dhe përgatiten normalisht në familjen e të porsalindurit, sepse një sasi e vogël e këtyre ushqimeve largohen përmes qumështit të nënës. Kësisoj, zvogëlohet mundësia e alergjive të foshnjave ndaj këtyre ushqimeve kur i fusim në vaktet e rregullta.

Ndër këshillat e tjera është i rëndësishëm hidratimi i mirë, të paktën gjashtë gota në ditë, gjithashtu supa, çorba dhe lëngjet natyrale.

Duhet evituar alkooli, pijet energjike dhe cigaret, ndërsa sa i përket kafeinës, doza duhet të ulet në dy filxhanë në ditë, sepse mund të shkaktojë nervozizëm tek foshnja.

– Një nënë e kënaqur dhe e shëndetshme do të thotë një fëmijë i kënaqur dhe i lumtur. Le të shohim natyrën dhe botën e gjallë që na rrethon; nënat janë të përkushtuara, ushqehen shëndetshëm, mbrojnë të vegjlit e tyre nga ndikimet e ndryshme të dëmshme mjedisore.

Rëndësia kryesore për nënën është rrënjosja e vetëbesimit, mbështetja, një atmosferë e këndshme dhe informacioni në kohë nga punonjësit e shëndetësisë. /Telegrafi/