Multietniciteti shqiptar!
Shqiptarët janë i vetmi komb në Ballkan që mbi 90 për qind të etnisë së tyre jetojnë në hapësira kompakte dhe homogjene. Multietniciteti i tyre është një kategori johistorike dhe ireale, ndërsa diversiteti i tyre fetar është pasuri e madhe karshi civilizimit dhe kulturës së tyre.
Presidenti i sapozgjedhur i Republikës së Kosovës, z.Behxhet Pacolli në intervistën e tij të parë të dhënë portalit “Swissinfo” kishte deklaruar se dëshiron që bashkëkombësit e tij të harrojnë të kaluarën e tyre dhe urrejtjen kundër serbëve dhe të pranojnë multietnicitetin. Ai synon që Kosova të bëhet një komb modern dhe multietnik për të mbyllur kapitullin e krimeve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.
Padyshim, deklaratat e para politike të presidentit të ri të Kosovës paraqesin “surprizën” më të madhe politike, ndryshe mund të trajtohen si “avancim” i madh i politikës së tij karshi pararendësve të tij të mëhershëm, por edhe të rajonit dhe më gjerë. Kjo ishte edhe një alibi e madhe ndaj të gjithë atyre që ishin kundër zgjedhjes së tij si president i këtij vendi, sepse kjo po dëshmon se politika dhe biznesi janë dy gjëra të kundërta.
Për kombin kosovar dhe shoqërinë multietnike në Kosovë është thënë dhe shkruar aq shumë sa që nuk ia vlen të harxhohet më shumë frymë në këtë drejtim. Por, të harrosh të kaluarën tënde historike, të harrosh vuajtjet, sakrificat dhe gjakun e derdhur për më tepër se një shekull ndër robërinë sllave, pikërisht të atyre që ishin shkaktarët kryesorë të urrejtjes dhe politikës së organizuar shfarosëse serbe ndaj shqiptarëve, atëherë padyshim kjo nuk do shumë koment dhe historia do të mund të përsëritet. Deklaratat sharllatane të presidenti të ri të Kosovës dhe të disa politikanëve tjerë shqiptarë në momentet më të rënda për kombin, pa asnjë dyshim do të prodhojnë kriza dhe pasoja të mëdha ndër shqiptarët.
Kombi kosovar dhe shoqëria multietnike në Kosovë është vetëm një nocion abstrakt, manipulativ i qarqeve antikombëtare dhe kurrsesi nocion historik, real dhe praktik. Shqipëria, Kosova dhe trojet tjera shqiptare janë rajone më etnike dhe më homogjene në Ballkan. Por, edhe në Evropë nuk mund të gjesh një vend më kompakt se trojet e tyre ku mbi 90 për qind janë të etnisë shqiptarë. Të flitet dhe të synohet për krijimin e një kombi të ri, kjo jo vetëm që është sharlatanizëm politik, por edhe projekt antikombëtarë. Në anën tjetër, kur kësaj i shtohet edhe politika servile dhe antikombëtare e disa politikanëve shqiptarë në Tiranë, si me çështjen e regjistrimit të popullsisë në bazë të kriterit të etnisë dhe konfesionit, por edhe deklaratat e fundit të ministrit të punëve të jashtme, z.Edmond Haxhinasto se bashkimi ndërshqiptarë është i dëmshëm dhe paraqet rrezik për të ardhmen e tyre, kjo nuk ka si të kuptohet ndryshe, vetëm si politikë jashtë kritereve reale, jashtë çdo vizioni për të ardhmen e shqiptarëve, por edhe si vazhdimësi e projektit antikombëtar.
Pushteti autokrat i tanishëm në Shqipëri është përgjegjësi kryesor për krizën që ka ky vend, sidomos gjatë periudhës së fundit. Si, mund të shpjegohet konvertimi i shumë banorëve të këtij vendi në serbë, grekë, e tjerë, të cilët këtyre ditëve janë në fokus të ngjarjeve politike e mediale. Si, mund të kuptohet rasti i konvertimit të banorëve me kombësi boshnjake, të konfesionit myslimanë në fshatin Libofsh të Bashkisë së Fierit, Korçës, Shkodrës, etj, me ç’rast Beogradi, Athina dhe fronti antikombëtar i kishin shfrytëzuar këto ngjarje për hesape të politikës së tyre.
Për fat të keq, internacionalizimit të këtij problemi i kishte ndihmuar në masë të madhe pushteti aktual, sidomos vizita e paradokohshme e Ilir Metës në Beograd, me ç’rast kishte pranuar ekzistimin e pakicës serbe në Shqipëri. Më pastaj, politika e Beogradit këtë e kishte shfrytëzuar si kundërvënie duke bërë një lloj baraspeshe ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe të mijëra shqiptarëve tjerë në Serbi, të cilët jetojnë në trojet e tyre autoktone dhe etnike. Pikërisht, banorët e Libofshit janë ata që nga dhuna serbe kishin gjetur strehim në Shqipëri, por këta ishin të kombësisë shqiptare dhe jo boshnjake, apo serbe, siç trumbetohet tani, sepse të gjitha faktet flasin se Pazari i Ri ishte vendbanim shqiptar. Mirëpo, politika serbe kishte shfrytëzuar në maksimum dobësitë e politikës shqiptare dhe kishte arritur të manipulojë dhe ndërkombëtarizojë këtë problem.
Po ashtu, në dëm të politikës kombëtare është edhe iniciativa e regjistrimit të popullsisë së këtij vendi në bazë të kriterit etnik dhe konfesional. Politika serbe, greke dhe fronti antikombëtar po bëjnë çmos që në arenën ndërkombëtare këtë vend ta paraqesin, si vend multietnik. Se shqiptarët janë multikonfesional kjo nuk vjen në dyshim, por të thuhet se janë komb multietnik kjo nuk qëndron dhe nuk ka asnjë argument edhe më të voglin për këtë.
Të gjitha argumentet flasin për territore etnike shqiptare, por dhe popullsi kompakte e homogjene në Ballkan. Vetëm disa politikanë shqiptarë në Tiranë, Prishtinë e gjetiu nuk e kuptojnë këtë realitet. Dëmet që këta i shkaktojnë vetes dhe popullit shqiptarë janë të mëdha, po historia nuk do të falë kurrë. Andaj, në këto vende jo që nuk do të ketë kurrë komb multietnik, por as nuk do të lejohen projeksione të tilla, sepse politikanët shkojnë e vijnë, ndërsa shqiptarët dhe trojet e tyre mbesin aty, në kompaktësinë e tyre, me pakica etnike, diversitete fetare, të shprehur dhe të menduar të lirë. Ata do të jetojnë në një shoqëri të lirë, të përbashkët e demokratike. Diversitet i tyre fetar do të shërbejë edhe më tej, si në të kaluarën, si një pasuri e madhe e civilizimit dhe kulturës së tyre dhe jo të manipulohet me të për hesape të ndryshme politike. Kjo nuk do të lejohet nga shumica e shqiptarëve, të cilët ditë e më shumë po e mbështesin dhe avancojnë projektin e integrimit ndërshqiptarë.
Prandaj, për fat të mirë fronti antishqiptarë për shoqëri multetnike shqiptare nuk do të ketë sukses, sepse kjo nuk ka të bëjë me historinë dhe realitetin e shqiptarëve, por nuk do të lejohet edhe nga fronti i forcave për integrime ndërshqiptare, diversitete fetare, integrime evropiane dhe struktura tjera euro-atlantike si projeksion i vetëm, afatgjatë dhe i sigurt për një të ardhme më të mirë të këtij kombi.





















































