LAJMI I FUNDIT:

Mujanoviq: Sulmi në Banjskë ishte sulm nga shteti serb – dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka mbaruar

Mujanoviq: Sulmi në Banjskë ishte sulm nga shteti serb – dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka mbaruar

Politologu Jasmin Mujanoviq ka folur sot për situatën e sigurisë në Kosovë dhe sulmin terrorist që ndodhi në Banjskë të Zveçanit.

Mujanoviq në konferencën “Sulmi terrorist serb në Banjskë dhe implikimet rajonale dhe gjeopolitike” të organizuar nga Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus” tha se nuk është i sigurt nëse ky sulm duhet të përshkruhet si sulm terrorist.


“Nuk jam i sigurt nëse duhet ta përshkruajmë këtë si sulm terrorist. Është e qartë që sulmuesit në Banjskë kanë qenë aleat të aparatit serb të sigurimit. Ky është një sulm nga shteti serb, nuk është sulm terrorist nga terroristët”, ka thënë Mujanoviq.

Ai shtoi se ajo që ka ndodhur në Banjskë është “një hap për të krijuar një Republika Srpska në veri”.

Sipas Mujanoviq, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka mbaruar, raporton Telegrafi.

“Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë siç kemi parë deri më tani ka mbaruar, sepse u zbulua qëllimi i Serbisë, dhe është e dukshme që Serbia përdor dhunën për të ndryshuar qëllimet politike”, tha Mujanoviq.

Politologu shtoi se nuk do të ketë sanksione ndaj Beogradit dhe se “është koha që të merremi seriozisht me këtë çështje”.

Mujanoviq theksoi nevojën e thellimit të marrëdhënieve formale dhe jo-formale mes Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës.

“Serbia paraqet rrezik permanent për Kosovën” – Instituti “OCTOPUS” prezanton lidhjet e Serbisë me sulmin terrorist në Banjskë
Lexo po ashtu “Serbia paraqet rrezik permanent për Kosovën” – Instituti “OCTOPUS” prezanton lidhjet e Serbisë me sulmin terrorist në Banjskë

“Ne nuk duhet të lejojmë që Dodik dhe Radoiçiq të shmangin elementet demokratike që mes Kosovës dhe Sarajevës të ketë koordinim”, tha Mujanoviq.

Ai shtoi se pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, duhet të ndalojnë t’i ofrojnë Beogradit dhe Moskës mbështetje diplomatike. /Telegrafi/