LAJMI I FUNDIT:

Muja: Mbi 800 milionë euro për paga dhe mëditje nga projektbuxheti 2024

Muja: Mbi 800 milionë euro për paga dhe mëditje nga projektbuxheti 2024

Kryetari i Komisionit për Punë, Buxhet dhe Transfere, Armend Muja para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tha se Komisioni që ai drejton ka miratuar Projektligjin për ndarjen buxhetore të vitit 2024. 

Ai potencon se shpenzimet buxhetore propozohen të jenë mbi 3 miliardë euro.


Muja, gjatë seancës së Kuvendit tha se borxhi i përgjithshëm bazuar në propozimin për ndarje buxhetore parashihet të jetë 20.7 për qind në raport me bruto produktin vendor.

“Komisioni për Punë, Buxhet dhe Transfere e ka shqyrtuar projektligjin për ndarjen buxhetore të vitit 2024 dhe pas diskutimeve dhe sqarimeve të marra nga Ministria e Financave e ka miratuar në parim. Shpenzimet e propozuara buxhetore propozohen të jenë 3 miliardë e 314 milionë euro. Propozimi mbështetet në një projeksion të të hyrave prej 3 miliardë e 28 euro dhe nevojën për financim të jashtëm dhe të brendshëm.

Bilanci i propozuar buxhetor është brenda rregullës fiskale ashtu siç parashihet në Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë. Borxhi i përgjithshëm bazuar në propozimin për ndarje buxhetore para shihet të jetë 20.7 për qind në raport me bruto produktin vendor, që në vete paraqet një rritje të lehtë krahasuar me 19.7 për qind sa parashihet të jetë deri në fund të vitit 2023”, tha Muja.

Ndër të tjera, ai potencoi se nga ky buxhet parashihet që mbi 1 miliardë euro të ndahen për subvencione dhe transfere, derisa shtoi se vlera e ndarë për paga dhe mëditje arrin shifrën 805 milionë euro.

Tuje, Muja tha se 859 milionë euro parashihet të ndahen për investime kapitale, derisa tregoi se 519 milionë të tjera planifikohet të jenë për mallra dhe shërbime.

“ Gjykuar sipas klasifikimit ekonomik, projektligji për ndarje buxhetore për vitin 2024 parashihet 1 miliard e 62 milionë euro në kategorinë e subvencioneve dhe transfereve apo rreth 32 për qind të buxhetit të përgjithshëm. 805 milionë euro për paga dhe mëditje, apo 24.3 për qind të buxhetit të përgjithshëm. 859 milionë euro për investime kapitale apo 26 për qind të buxhetit të përgjithshëm dhe 519 milionë euro për mallra dhe shërbime. Gjykuar sipas klasifikimit funksional, buxheti është shpërndarë sipas dëgjimit buxhetore me ministritë e linjës dhe agjencitë e institucionet e pavarura. Ky projekt propozim do të jetë subjekt i shqyrtimeve dhe diskutimeve nga komisionet parlamentare”, theksoi Muja. /Kp/Telegrafi/