LAJMI I FUNDIT:

Muja flet për investimet kapitale, përmend ndërtimin e 200 shtëpive në veri të vendit

Muja flet për investimet kapitale, përmend ndërtimin e 200 shtëpive në veri të vendit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja në emisionin “Përballje” në Telegrafi me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, ka folur për investimet kapitale që janë bërë gjatë qeverisjes Kurti.

Muja ka është shprehur se investimi kapitali në terma ekonomikë të përgjithshëm, i referohet çdo investimi që bëhet qoftë nga sektori privat, qoftë nga ai publik për të formuar kapitalin bruto.

“Pjesëmarrja kryesore, domethënë në tërësi, kur e sheh në terma ekonomik, kur bohet disagregimi i komponentëve të GDP-së, kapitali bruto formohet nga mbi 3 miliardë euro investime nga sektori privat edhe publik”,ka deklaruar Muja.


Duke folur për investimet konkrete kapitale, deputeti i LVV-së përmendi ndërtimin e shtëpive dhe rrugëve në veri të vendit.

“Janë 200 shtëpi të shqiptarëve që po ndërtohen për herë të parë në veri të vendit. E dyta, janë mbi 10 rrugë që janë ndërtuar për herë të parë në veri të vendit. Po ju përmend, se veriu i vendit është mbi 18 përqind e territorit të Kosovës. Rruga Qarkolez- Zubin Potok, Kuçicë – Zubin Potok, rrugë e gjatë për herë të parë çon te Ujmani, shumë strategjike.

Dy është rruga Mitrovicë – Bare Selac, shumë strategjike se të çon te Leposaviqi, rruga prej Mitrovicës deri në Zveçan, rrugë shumë e rëndësishme kalon kah Vidimriqi. Të gjitha rrugët e Shalës së Bajgores që shpijnë në veri, rruga për Bistricë, rruga për Cerajë etj”, ka thënë Muja.

Deputeti i LVV-së, Armend Muja/Foto: Ridvan Slivova

Ai ka folur edhe për rrugën Prishtinë-Podujevë dhe Prishtinë-Mitrovicë.

“Rruga Prishtinë – Podujevë që është tu u ndërtuar thuajse është në kompletim e sipër, rruga Prishtinë – Mitrovicë është në kompletim e sipër gjithashtu. Tash për rrugën Prishtinë – Mitrovicë i ndjeri Bajram Rexhepi e ka propozuar për herë të parë në vitin 2007. Ka fillu në vitin 2009, në vitin 2013 është marrë një grant ndërkombëtar për ta filluar punën, derisa ka ardhë Qeveria Kurti, ai nuk është përfunduar.

Do të thotë deri në vitin 2021 sepse qeveria është fut në borxhe shpronësimi dhe s’ka pas mjete edhe vullnet politik për ta ndërtuar. Çka kemi bërë ne? I kemi largu të gjitha detyrimet e shpronësimeve, e po e kryejmë komponentin drejt Smrekonicë e Vushtrrisë, dhe pastaj po e fillojmë edhe Smrekonicë – Mitrovicë”, ka deklaruar Muja në Telegrafi.

Muja i përgjigjet kritikave të Bajramit: Nën autoritetin e saj janë nënshkruar 15 tenderë njëburimor, u avulluan edhe 529 mijë euro
Lexo po ashtu Muja i përgjigjet kritikave të Bajramit: Nën autoritetin e saj janë nënshkruar 15 tenderë njëburimor, u avulluan edhe 529 mijë euro

Deputeti i LVV-së ka theksuar se disa projekte janë në proces, sepse rrugët rajonale zakonisht donë më shumë se një mandat.

Ai ka thënë se rruga Prishtinë-Pejë është i bindur se do të përfundoj më shpejtë se të tjerat,

“Ia kemi borxh Pejës, si një nga qytetet kryesore të Kosovës, ia kemi pas borxh, edhe për shkak të lidhjeve kyçe me Malin e Zi, është dash aty me investu gjatë. Jam i bindur që rruga për Pejë do të përfundohet më shpejt sesa këto tjera”, tha Muja.

Sa i përket rrugës për Gjilan, Muja tha se janë kry dy llote ndërkaq për njërin llot ka pasur ankesa.

“Aty janë kry dy llote tek e Gjilanit, shumë shpejt, mirëpo mjerisht ka ankesë te një llot i fundit, edhe unë besoj që Ministria e Infrastrukturës duhet ta përcjell atë zhvillim, dhe duhet të përfundohet shpejt”, tha Muja. /Telegrafi/