Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, shkroi në Facebook për të adresuar reagimet e nxehta të shkaktuara nga tema e emigrantëve, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ai është i bindur se "qeveria nuk ka ndjekur dhe as nuk do të ndjekë një politikë pranimi të emigrantëve".


"Qeveria është plotësisht e përkushtuar ndaj zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve. Ne po ndërtojmë partneritete që sjellin përfitime konkrete për çdo familje, çdo komunë dhe vendin në tërësi. Dhe dua të jem shumë i qartë: kjo qeveri nuk ka ndjekur dhe as nuk do të ndjekë një politikë pranimi të emigrantëve, në asnjë formë. Nuk ka marrëveshje, as negociata, as kuota, as qendra, as marrëveshje tranziti. Një iniciativë e tillë as nuk është marrë në konsideratë, as nuk ka një qëllim politik në atë drejtim. E gjithë kjo është një gënjeshtër absolute”, shkroi Mucunski në Facebook.

Partneriteti strategjik me Mbretërinë e Bashkuar, thotë ai, bazohet në respekt dhe besim të ndërsjellë, si dhe në bashkëpunim në politikë, ekonomi dhe siguri.

Kjo, shton Mucunski, do të thotë iniciativa dhe projekte të vërteta që përshpejtojnë zhvillimin ekonomik, krijojnë vende pune dhe sjellin përfitime të prekshme për qytetarët - jo skenarë të shpikur për nevojat e përditshme politike./Telegrafi/