LAJMI I FUNDIT:

MTI nënshkruan memorandum bashkëpunimi me OEK-un dhe Doganën e Kosovës

MTI nënshkruan memorandum bashkëpunimi me OEK-un dhe Doganën e Kosovës

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) dhe Dogana e Kosovës kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi për të promovuar portalin për tregti “Udhëzuesi i Tregtisë Ndërkombëtare”. Kjo platformë është lansuar në shkurt të këtij viti përkrahur nga projekti regjional të USAID-it për RRER (Rritja Ekonomike Regjionale) – komponenta për lehtësimin e Tregtisë, si vazhdimësi e platformës së krijuar në vitin 2013, në kuadër të Projektit të USAID-it për Përmirësimin e Mjedisit Afarist (PPMA).

Sipas njoftimi, portali ka për qëllim të ndihmojë eksportuesit dhe importuesit e mallrave dhe shërbimeve në Kosovë për të kryer transaksione ndërkombëtare të tregtisë. Është një udhëzues i mirë edhe për kompanitë e huaja që konsiderojnë tregtinë me Kosovën dhe ofron informacione me rëndësi për ta.


Sekretar i përgjithshëm në MTI, Burim Rreci, tha se përmes kësaj platforme kompanitë do të marrin informacionet e nevojshme.

“Bashkëpunimi jonë institucional tregon qartë për gatishmërinë e Kosovës për rritjen e transparencës, veçanërisht në aspektin e tregtisë. Ne në kuadër të këtij projekti, kemi identifikuar për herë të parë lejet e dhe licencat e nevojshme që lëshuara nga autoritetet Kosovare në fushën e tregtisë, të cilat gjinden në këtë portal”, tha Rreci.

Memorandumi i nënshkruar sot parasheh bashkëpunimin në përditësimin e të dhënave ekzistuese, plotësimin e saj me të dhëna të reja dhe promovimin e kësaj platforme me qëllim që të rritet besueshmëria e kompanive në lidhje me informacionin e ofruar në të. Bashkëpunimi parasheh edhe shkëmbimin e zyrtarëve dhe ekspertëve me qëllim ngritjen e kapaciteteve institucionale në kuadër të komponentës për lehtësimin e tregtisë. /Telegrafi/