Mozzik viziton krerët e UÇK-së në Hagë: Disa djem që dikur me armë morën rrugën për ta çliruar Kosovën, po rrinë në burg

Reperi i njohur shqiptar, Gramoz Aliu - Mozzik, ka shkuar së fundmi në Hagë.
Arsyeja e vizitës ka qenë takimi me disa nga krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë.
Reperi i shumë hiteve në estradë, publikoi në rrjetin social Facebook një 'selfie' të realizuara para Gjykatës Speciale, teksa në mbishkrimin e saj thuri elogje për ish-kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin, i cili është një nga krerët e arrestuar në Hagë.
Ky është shkrimi i tij i plotë (pa ndërhyrje):"Vizita në burg te Kadri Veseli është një rrugë pikëlluese në një peisazh të errët, ku drita e lirisë shuhet në prangat e mbylljes. Në këtë vend të ndaluar, emocionet e humbjes dhe shpresës përplasen në një përjetim të thellë të vuajtjes së njeriut, duke përforcuar nevojën për drejtësi dhe për një të ardhme më të ndritshme. Vallai Kadria o burrë amo burrë burrë ata që e njofin e njofin. Disa djem atëherë me disa armë që morën rrugën për me çliru Kosovën , po rrinë në burg . Po e paguajnë shumë shtrenjtë çmimin e lirisë . E dhimbshme , e trishtë se në çfarë horizonte është lakuar lufta e pastërt e UÇk-së . Lutem që rinia,brezi i ri të informohet me historinë e shtetit tonë më shumë , me luftën me lirinë dhe me gjithçka që po kalojmë. Biseduam shumë gjëra frymëzuese e besa edhe qeshëm shumë së bashku. Të fala keni të gjithë ! Zoti iu dhashtë shëndet e forcë ta mbroni këtë rrugëtim të lirisë të shtetit tonë Kosovë", ka shkruar Mozzik në Facebook.
Reperi nga Ferizaj përndryshe e ka treguar disa herë me krenari se është përkrahës i Partisë Demokratike të Kosovës. /Telegrafi/































































