LAJMI I FUNDIT:

Mospagesa e tatimit në pronë, Ibrahimi: Qytetarët do të gjobitën me kamata dhe ndëshkime nga Ministria e Financave

Mospagesa e tatimit në pronë, Ibrahimi: Qytetarët do të gjobitën me kamata dhe ndëshkime nga Ministria e Financave

Të gjithë qytetarët që nuk e kanë bërë pagesën e këstit të parë të tatimit në pronë, nga 1 maji do të gjobitën me kamata dhe ndëshkime nga Ministria e Financave.

Kështu pohon kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi duke shtuar se niveli qendror nuk pati vullnet që ta zgjidh problemin e pagesës së këtij tatimi për qytetarët.


“Problemi qëndron se niveli qendror nuk e zgjidhi këtë problem dhe tani ka kaluar afati ligjor për pagesën e këstit të parë të tatimit në pronë, ku qytetarët me automatizëm do të futën në sistemin e Ministrisë së Financave ku do të llogaritet gjoba dhe kamata, që do të filloj me 10 për qind e pastaj me 0.65 për qind në baza mujore”, pohon Ibrahimi për Telegrafin.

“Tani qytetarët nga data 1 maj hyjnë në sistemin e MF-së, ku ata që nuk e kanë paguar këstin e parë fillojnë të gjobitën me kamata dhe ndëshkime”, shton ai.

Sipas tij, edhe pse i është premtuar qytetarëve të këtë falje e 100 eurove, kjo nuk ka ndodhur.

“Niveli qendror nuk ke i vullnetit që ta zgjidh problemin, premtoi shumë e në realitet nuk ndodhi asgjë. U premtua që do të bëhet një ligj që qytetarëve t’iu bëhet falja, mirëpo nuk u dha asnjë shpresë që ai dëm i shkaktuar komunave, kur do të kompensohet. Ishte i mbyllur hermetikisht, e nuk i konsultoi komunat si hisedarë pasi që preken buxhetet komunale”, tha Ibrahimi.

Tatimi në pronë, kryetarët e komunave kërkojnë takim me kryeministrin Kurti
Lexo po ashtu Tatimi në pronë, kryetarët e komunave kërkojnë takim me kryeministrin Kurti

“Me veprimet e nivelit qendror, nëse zbatohet në mënyrë arbitrare falja e 100 eurove, ashtu siç është deklaruar ministri [i Financave], atëherë buxhetet komunale do të kenë humbje prej miliona eurove dhe ne si Asociacion kërkojmë që këto humbje të kompensohen”, theksoi ai.

Ibrahimi shton se kërkesa e kryetarëve të komunave është që të mos ngritën faturat e tatimit në pronë dhe të janë të njëjtat si vitin paraprak.

“Kërkesa e kryetarëve të komunave ka qenë që të mos ngritën faturat e tatimit në pronë dhe të janë të njëjtat si në vitin 2022. Ne kemi kërkuar nga kryeministri [Albin Kurti] takim e ku një ndër temat do të jetë edhe tatimi në pronë, falja dhe kompensimi. Takimi pritet të jetë më 15 maj. Shpresojmë që këtë kompensim ta bëjë Ministria e Financave, pikërisht këtë po e kërkojmë dhe nëse kjo nuk ndodhë, atëherë do të shohim se çfarë do të ndodhë”, përfundon Ibrahimi.

Ndërsa, MF-ja ka sqaruar se tashmë Projektligji i ri për Tatimin në Pronë është dërguar në Kuvendin e Kosovës dhe me këtë parashihet falja e 100 euro të faturave për vitin 2023.

“Ne si Qeveri veç se e kemi dërguar Projektligjin e ri për Tatimin në Pronë në Kuvend, i cili përmes një dispozite kalimtare mundëson faljen e deri në 100 euro të faturave për vitin 2023, mirëpo Projektligji ende nuk ka kaluar të dyja leximet në Kuvend”, thuhet në sqarim.

Falja e 100 eurove të tatimit në pronë, edhe për ata që kanë bërë pagesën
Lexo po ashtu Falja e 100 eurove të tatimit në pronë, edhe për ata që kanë bërë pagesën

“Theksojmë që, bazuar në Projektligjin e Tatimit në Pronë, falja vlen edhe për qytetarët që tashmë kanë paguar faturën e tatimit në pronë, dhe me rastin e hyrjes së ligjit në fuqi, pagesa që kanë bërë, u llogaritet si parapagim për këstet e tjera”, përfundon MF-ja.

Pagesa e tatimit në pronë në Kosovë mund të bëhet në dy këste. Afati për pagesën e këstit të parë është 30 prilli, ndërsa për këstin e dytë është fundi i muajit shtator.

Tatimi në pronë është taksë vjetore komunale dhe përcaktohet nga shumëzimi i vlerës së pronës me normën tatimore. Kjo normë është 0.15 për qind e vlerës së përgjithshme të pronës.

Rritja e faturave të tatimit në pronë ka ndodhur pas vlerësimit të përgjithshëm të tokave dhe objekteve rezidenciale, që ka bërë MF-ja në fund të vitit të kaluar.

Pas këtij vlerësimi, tatimi në pronë për disa është rritur deri në 100 për qind, e për disa ka mbetur i pandryshuar, pasi vlera e pronës, pas vlerësimit, nuk ka ndryshuar. Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës e kanë kundërshtuar rritjen e tatimit në pronë.

Nga tatimi në pronë, buxheti i Kosovës ka të hyra vjetore deri në 40 milionë euro. /Telegrafi/