LAJMI I FUNDIT:

Mos qëndro me …

Mos qëndro me …
Kahlil Gibran

Nga: Kahlil Gibran
Përktheu: Elmaz Fida

Mos qëndro me gjysmë të dashuruar, as me gjysma miq, mos lexo nga gjysmë të talentuarit, mos jeto gjysmë jete, mos vdis gjysmë vdekje, mos prano gjysmë zgjidhje, mos qëndro në gjysmën e të vërtetës, mos ëndërro gjysmë ëndrre dhe mos shpreso gjysmë shprese …


Nëse zgjedh heshtjen, atëherë hesht gjer në fund, nëse zgjedh të flasësh, fol gjer në fund.

Mos hesht që të flasësh dhe mos fol që të heshtësh. Nëse je i kënaqur shprehe, mos u shtir gjysmë i kënaqur, shprehe refuzimin tënd … sepse gjysmë refuzimi është pranim.

Gjysma është jetë e pajetuar, është fjalë e pathënë, është buzëqeshje e vonuar, është dashuri e paarritur, është miqësi e panjohur, gjysma i shndërron njerëzit më të afërt në të huaj.

Gjysma është të mbërrish dhe mos mbërrish, të punosh dhe mos të punosh, të prezantosh dhe të mungosh.

Ti je gjysmë vetëm kur nuk e di kush je dhe personi që dashuron nuk është gjysma jote, por je ti në një vend tjetër, në të njëjtën kohë!

Gjysmë gllënjke nuk ta shuan etjen, gjysmë vakti nuk ta heq urinë, gjysmë rruge nuk të çon asgjëkundi dhe gjysmë ideje nuk prodhon asnjë rezultat.

Gjysma është çasti i pafuqisë sate, ndërkohë që ti nuk je i pafuqishëm, sepse ti nuk je gjysmë njeri, ti je njeri, je këtu për të jetuar jetën, jo gjysmën e jetës!