LAJMI I FUNDIT:

MOS MA KËQYRË GUNËN, POR PUNËN

MOS MA KËQYRË GUNËN, POR PUNËN

Poezi nga: Charles Bukowski
Përktheu: Fadil Bajraj

bir, babai më tha, po ta kishe sall
një ambicie! ti për asgjë s’i jep vetes
siklet! s’ke as
vullnet!
zor e kam të besoj se ti je
djali im.


nejse,
thashë.

dua të them, ai s’ndalej, nga do t’ia mbash me
këto mend?
nënës ia ke prurë shpirtin në majë të hundës dhe komshinjtë
po kujtojnë se ti je njëfarë
imbecili.
çka dreqin do të
bësh?
ne s’mund të të mbajmë gjallë gjithë jetën e
lume!

tash jam 15 vjeç, i thashë, edhe pak do të ik e do t’ju
lë rehat.

ama shikoje veten, sall sillesh e pështillesh në dhomën tënde gjithë
ditën! djemtë
tjerë kanë vendpune, shpërndajnë gazeta, Jim Stover punon
si shoqërues në
Bayou!
QYSH DREQIN DO TË MBESËSH
GJALLË NË KËTË
BOTË!

nuk e
di …

ma ke prurë shpirtin me DALË! ngandonjëherë kur kujtoj se çfarë djali
kam, më mirë mos të isha fare
gjallë.

epo, ai përnjëmend vdiq, vdiq para më shumë se 30
vjetësh.

ndërsa unë vitin e kaluar kam pagur
59.000 dollarë
taksa.