Një ngjarje unike po vjen në Prishtinë dhe ka të gjitha përbërësit për të krijuar zhurmë: basketboll, muzikë, kulturë urbane dhe garë.

Më 24 maj në ambientet e AMC Hall, do të mbahet turneu "Money Talks" – një garë 1 kundër 1 në basketboll, ku 16 lojtarë do të përballen për të dëshmuar aftësitë e tyre në fushë.


Kjo ngjarje është rezultat i bashkëpunimit mes 3x3 Prishtina, AMC dhe THINK B Agency, që së bashku kanë krijuar një platformë që shkon përtej sportit – duke bashkuar komunitetin përmes stilit dhe kulturës së rrugës.

Turneu fillon nga ora 20:00, ndërsa për atmosferën do të kujdesen DJ dhe artistë të ndryshëm, përfshirë: DJ Enndzi, Biondi, Kreshatech, Polly and Pamy nga Italia dhe Shaolin Gang

Ky kombinim i basketbollit dhe muzikës synon të krijojë një eksperiencë unike për publikun, duke sjellë frymëzimin nga kulturat ndërkombëtare urbane edhe në zemër të kryeqytetit.

Në mbështetje të këtij eventi janë përfshirë edhe emra të njohur si Heineken, Prime Travel, Blendi, ALPX Fireworks, Magic Pictures, The Rock, AFA Golf, Phoenix dhe të tjerë.

Postimi i basketbollistit të njohur Fis Juniku, i cili ndau eventin në rrjetet sociale me mbishkrimin “S’keni pa kshtu…”, e shton më tej intrigën për këtë mbrëmje që pritet të jetë e zjarrtë. /Telegrafi/