LAJMI I FUNDIT:

Momenti që ndryshoi jetën: Muzikanti nga Kosova dhe Roberta Flack

Momenti që ndryshoi jetën: Muzikanti nga Kosova dhe Roberta Flack

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo rrallë herë suksesi është i lidhur edhe me fatin. Këtë e dëshmon rrugëtimi në muzikë i 25-vjeçarit nga Kosova, Edon Molla. Ai kishte ëndrra të mëdha në basketboll dhe marketing, për çka edhe mbaroi studimet, ndërsa muzikën e kishte filluar vetëm si aktivitet për të larguar stresin nga këto të dyja. Por, një takim i rastësishëm dhe i shkurtër në ashensor me yllin e muzikës Roberta Flack, i ndryshoi jetën. Para pak muajsh, Molla nxori në treg albumin e tij të parë të titulluar “Alone”. Përfundimi i këtij projekti, kërkoi punë, vullnet dhe fat.

Historia e Edonit nisë në qytetin e Prizrenit. Kur ishte dy vjeç, familja Molla vendosi të emigrojë drejt Nju Jorkut.


“Kishim shumë vështirësi sa ishim në Kosovë”, thotë Edon Molla duke shtuar se erdhën në Amerikë që të kishin më shumë mundësi në jetë.

Edoni vazhdoi shkollimin në Nju-Jork. Mënyra e jetesës në qytetin që nuk fle kurrë, e bëri atë shumë ambicioz. Në moshë të re luante basketboll dhe synonte arsimin në universitete të njohura amerikane.

“Shkollimi ishte qëllimi kryesor”, thotë ai, teksa tregon se luante basketboll që të fitonte bursë për studime universitare. “Nuk dëshiroja që prindërit të më paguanin shkollën”.

Por, me kalimin e viteve, basketbolli zuri vendin kryesor në jetën e Edonit. Deri në moshën 18-vjeçare, Edoni e mendonte të ardhmen e tij në sport. Por, një punë sezonale si pastrues në Manhattan verën e vitit 2016, i ndryshoi jetën.

Kur ishte 18 vjeçar, filloi punën në një ndërtesë të quajtur Dakota, që thotë se ishte “vendbanim i të pasurve”. Ndihej i nevrikosur pasi ishte refuzuar nga një kompani për punë praktike. Por, disponimi i tij ndryshoi kur pa se në ndërtesën që e pastronte, jeton ylli i muzikës, Roberta Flack. Mjaftoi një interpretim i shkurtër në ashensor i Edonit, që këngëtarja e hitit të njohur “Killing Me Softly with His Song” të spikasë talentin e të riut nga Kosova.

Ai thotë se atë verë “më nuk punova si pastrues”, pasi këngëtarja e njohur e ftoi që ta ushtrojë të riun nga Kosova.

“Nuk kam parë një 18-vjeçar që këndon dhe shkruan këngë si këto që bëni ju pa ndihmën e askujt”, i kishte thënë ajo, derisa e këshilloi që të merrej me muzikë “sepse aty e ke të ardhmen”.

Megjithatë, në industrinë amerikane të muzikës, veç punës kërkohet edhe durim.

“Në koncertin e parë nuk erdhi askush”, thotë Edoni, teksa tregon për sfidat që i kaloi derisa njerëzit filluan të pëlqejnë muzikën e tij. Kur publikoi albumin u ftua të këndojë në “Rockwood Music Hall”, që është njëra nga sallat më të njohura të muzikës në Nju-Jork.

Interpretimi në këtë sallë i hapi dyert e suksesit, pasi çdo ditë po rritet numri i të interesuarve për albumin e tij të parë.

“45 mijë njerëz morën albumin tim”, thotë artisti.

Pjesë e albumit të tij është edhe kënga me titull “Olivia”, kushtuar një vajze të prekur nga sëmundja e kancerit, e të cilën e takoi në një vizitë të tij në një klinikë ku trajtohen persona me këtë sëmundje.

Po kjo këngë ishte edhe muzika simbol e maratonës së Nju-Jorkut, që është maratona me pjesëmarrjen më të madhe në botë. Ashtu siç me këngën e tij Edoni motivoi mbi 50 mijë vrapuesit, ai këshillon të rinjtë që suksesin e tyre të mos e mbështesin tek të tjerët.

Pavarësisht largimit në moshë të re dhe mundësive të mëdha në ShBA, artisti e ndjen mallin e vendlindjes.

“Shtëpia është Kosova… është Shqipëria”, thotë Edoni ndërsa shton se i mungojnë familjarët.

Edoni planifikon që të krijojë një këngë edhe në gjuhën shqipe. /VoA/