Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq dhe ministri i Shëndetësisë, Zlatibor Lonçar, vizituan Novi Pazarin si vatër e coronavirusit.

Por, siç raportojnë mediat serbe, përcjell Telegrafi, atje, zyrtarët e lartë shtetërorë të Serbisë janë pritur me bilbila dhe britma “hajdutë, hajdutë”.

Siç thuhet më tej, ata vlerësuan sot se situata epidemiologjike në Novi Pazar është “terren pjellor” për politizimin dhe përhapjen e lajmeve të rreme.

Gjithashtu, në disa pamje thuhet se janë parë punëtorët shëndetësorë që i kanë kthyer shpinën kryeministres, ndërsa ajo u fut në Spitalin e Përgjithshëm.

Ajo deklaroi se njerëzit e mbledhur janë aktivistë politikë të tre partive politike që janë në pushtet në Novi Pazar, duke thënë se ata duhet të përfshihen në politikë, dhe të mos përdorin situatën e vështirë epidemiologjike për konfrontime politike.

“Kjo nuk është një luftë afatshkurtër. Politizimi do të dështojë. Ka ilaçe dhe ka pajisje mjekësore. Kjo nuk është një luftë për pushtet por për jetë. Askush nuk do të na ndalojë”, citohet të ketë thënë Ana Brnabiq, dhe qytetarët, gjatë fjalimit, bërtisnin: “Ana, largohu”, “Meho, hajdutë”. /Telegrafi/