LAJMI I FUNDIT:

Mitra e kthyer mbrapsht – ankthi i shumë grave!

Mitra e kthyer mbrapsht – ankthi i shumë grave!

Mitra e kthyer mbrapsht është term i cili përdoret shpesh në zhargonin e përditshëm.

Ass. dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër
tel. 045 725 725

Fillimisht duhet thënë se është term i gabuar dhe në vend se të thuhet “mbrapsht” duhet thënë “mbrapa”, sepse bëhet fjalë për mitrën në retroversion që do të thotë mitra e përkulur mbrapa kah kurrizi.

Te shumica e grave mitra është e përkulur përpara kah barku, por rreth çdo e katërta grua e ka mitrën në retroversion.

Pse këto gra e kanë mitrën e kthyer prapa?

Në shumicën e rasteve ky është variacion KREJTËSISHT NORMAL, pra këto gra kanë lindur me mitrën në këtë pozicion.

Ndonjëherë, te disa gra të cilat e kishin mitrën të përkulur përpara mund të zhvillohen disa probleme të cilat e tërheqin mitrën prapa. Mitra mund të përkulet prapa për shkak të:

– Sëmundjes inflamatore të pelvikut

– Endometriozës. Sëmundja inflamatore e pelvikut dhe endometrioza nxisin formimin e adezioneve në brendi të barkut duke ia ndryshuar pozicionin mitrës.

– Shtatzënia (gjatë shtatzënisë mund të dobësohen ligamentet të cilat e përforcojnë mitrën dhe si rezultat pas lindjes mitra mund të mbetet në retroversion).

– Menopauza (niveli i estrogjenit bie dhe për këtë arsye ligamentet dobësohen, duke bërë që mitra të kthehet në retroversion).

Çfarë ankesash kanë gratë të cilat e kanë mitrën në retroversion?

Zakonisht, këto gra nuk kanë asnjë ankesë dhe asnjë shenjë klinike. Gratë të cilat kanë probleme, ankesat më të shpeshta janë:

– dhimbja gjatë marrëdhënieve seksuale

– dhimbja gjatë menstruacioneve

Dhimbja dhe diskomforti është pasojë e presionit që bën mitra e retrovertuar në zorrën e trashë dhe në kockën e kërbishtit.

Si diagnostikohet mitra e retrovertuar?

Diagnostikimi bëhet lehtësisht përmes ekzaminimit gjinekologjik dhe ekzaminimit me ultrazë.

Cilat janë problemet shëndetësore të cilat e shoqërojnë mitrën e retrovertuar?

Problemet mund të vijnë si pasojë e sëmundjeve të cilat kanë bërë që mitra të përkulet prapa, pra si rrjedhojë e sëmundjes inflamatore të pelvikut ose endometriozës.

Konsultohuni me mjekun tuaj nëse keni dhimbje në pjesën e poshtme të barkur, nëse i keni menstruacionet e çrregullta ose nëse nuk mund të mbeteni shtatzënë.

Nëse këto sëmundje nuk trajtohen si duhet, mund të çrregullojnë funksionimin e organeve gjenitale, por mund të ndikojnë negativisht edhe në shëndetin e përgjithshëm.

A do ta keni më të vështirë që të mbeteni shtatzënë nëse e keni mitrën e përkulur prapa?

JO, nëse mitra e retrovertuar nuk është pasojë e sëmundjeve të sipërshënuara!

Shumica e grave kur e marrin vesh se e kanë mitrën e kthyer prapa bëhen merak se do ta kenë të vështirë që të mbeten shtatzënë, por kjo nuk ndikon as në mbetjen shtatzënë dhe as në rrjedhën e shtatzënisë, pra shumica e këtyre grave do të kenë shtatzëni të mbarë dhe bebe të shëndetshme.

Nëse një grua nuk mund të mbetet shtatzënë pas 12 muajsh të marrëdhënieve të rregullta dhe të pambrojtura seksuale, atëherë duhet të konsultohet mjeku.

A mund të trajtohet mitra e retrovertuar?

Nuk ka nevojë për asnjë trajtim nëse mitra është natyrshëm e retrovertuar, por nëse është e retrovertuar si pasojë e endometriozës ose sëmundjes inflamatore të pelvikut, atëherë duhet të mjekohen këto sëmundje.

Përndryshe, nëse ankesat janë shumë të shprehura, atëherë mund të bëhen disa ushtrime fizike të cilat e favorizojnë ripozicionimin e mitrës, por për fat të keq efekti është afatshkurtër.

Ekzistojnë disa pajisje nga plastika që quhen pesar të cilat vendosen në vagjinë dhe e shtyjnë mitrën përpjetë, por ato mund të mbahen për një kohë të shkurtër, sepse e favorizojnë infeksionin vaginal.

Është e mundur që me intervenim kirurgjik të prehen dhe të shkurtohen ligamentet e mitrës dhe në këtë mënyrë të ripozicionohet mitra (kjo quhet “procedura uplift”). /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Tetë mënyra efektive për të ndaluar dhimbjen e dhëmbit në kushte shtëpie

Tetë mënyra efektive për të ndaluar dhimbjen e dhëmbit në kushte shtëpie

Shëndetësi
Kalo në kategori