LAJMI I FUNDIT:

Miti i rrejshëm për John Lennonin

Miti i rrejshëm për John Lennonin

David Barnett ndërthur kulturën popullore me jetën reale të John Lennonit. Pjesë të shkrimit të tij, Telegrafi i përmbledh si më poshtë.

John Lennoni ishte më i vdekur kur ishte i gjallë. Para 40 vjetëve, kur qëllohet për vdekje te shkallët e kompleksit të apartamenteve Dakota në Nju-Jork, si shumë muzikantë që vdesin të rinj, edhe ai e merr statusin e legjendës.


Legjendat janë për heronjtë. Mitet janë për figura edhe më të mëdha se kaq; për perënditë. E, John Lennoni me të vërtetë e ka arritur një lloj të pavdekësisë hyjnore – pjesërisht falë prezantimit të tij nëpër veprat e shumta letrare dhe skenike. Te ato portretizime, jeta e tij është romantizuar dhe rishkruar deri në pikën ku miti del më real se jeta. Riimagjinimi i Lennonit nisi posa mbaroi jeta e tij.

“Menjëherë pas vdekjes së Lennonit – brenda disa orësh, në fakt – u portretizua në këtë mënyrë të shenjtë e të pastruar nga mëkatet”, thotë Rob Sheffield, gazetar i revistës “Rolling Stone” dhe autori i librit të vitit 2017 ,“Dreaming The Beatles”. “Gjithmonë e pëlqeja atë që Paul McCartney e tha për të në vitet 1980: ‘Që nga vdekja e tij u bë Martin Luther Lennon.”

Natyrisht, ndërtesa e kompleksit Dakota u bë pikë e rëndësishme për tifozët; u shndërrua në një “det” të mbushur me lule dhe me shënime dhembjeje. Stacionet e radios nuk lëshuan gjë tjetër përveç këngëve të Lennonit dhe të Beatles-ave (çdo ditë), ndërsa dyqanet e disqeve thyenin rekorde me albumin “Double Fantasy” të duetit Lennon-Ono. Ndërkohë, diçka e ngjashme ndodhte edhe më larg: disa ditë pas vdekjes së tij, një mural u shfaq në një mur, në një rrugë anësore të fshehur të Pragës komuniste, që me kalimin e viteve u bë si vend i shenjtë. Pavarësisht përpjekjeve për ta hequr ose për ta mbuluar, sot është atraksion i madh turistik dhe ndalesë e rregullt në guidat e kryeqytetit të sotëm çek.

Nga dhembja njerëzit donin të besonin se ishte shenjtor, por ky është pretendimi i fundit që Lennoni do ta bënte për veten”, thotë Sheffield. “Ishte personi më thumbues, më sarkastik e më ironik në botën e muzikës”.

Lennoni nuk ishte shenjtor. Pesë vjet më parë u shfaq një dokument ligjor me një deklaratë të bërë nga Dorothy Jarlett, shtëpiake e Lennonit kur ai ishte i martuar me gruan e tij të parë Cynthia, e cila për yllin thotë se ishte gruar, agresiv e i dhunshëm me djalin e vogël, Julian. Në një intervistë për revistën “Playboy”, publikuar dy ditë para se të vdiste, Lennon ka thënë: “Isha mizor me gruan time, edhe fizikisht … me çdo grua … Nuk mund të shprehesha kështu që godisja”.

Megjithatë, ky është Lennoni që rrallë e shohim në kulturën popullore. Në filmin e vitit 2019 të regjisorit Danny Boyle, “Yesterday”, muzikanti Jack Malik (që luhet nga Himesh Pateli), pas një aksidenti zgjohet në një botë ku grupi The Beatles nuk ka ekzistuar kurrë. Pasi fiton famë me këngët klasike që askush në këtë realitet alternativ nuk i kishte dëgjuar, e gjen Lennonin duke e kaluar një jetë të thjeshtë – në një kasolle, me një anije peshkimi të quajtur “Imagine” – larg nga qendra e vëmendjes. Por, ky nuk është portretizimi të cilin Sheffieldi e pranon.

“A mund ta imagjinosh Lennonin duke operuar i vetëm, një varkë?” thotë Sheffield. “Apo të ngrihet në katër të mëngjesit për të peshkuar? Ai kurrë nuk u ndal së ankuari se duhej të çohej në orën tetë të mëngjesit për seancat e incizimit të këngës ‘’Get Back’, ku e tëra që duhej të bënte ishte ta lidhte një kitarë. Si mund të jetonte i vetëm në atë kasolle, pa rrugë e pa shofer? Ai nuk gatuante, nuk e ngiste makinën, nuk rregullonte asgjë në shtëpi. Siç ka thënë George Martin, ‘ai nuk mund ta ndërronte as edhe një poq’. Ai nuk do ta kishte duruar as edhe një javë si peshkatar. Por, do të qeshte me atë film”.

Një portretizim më i kënaqshëm i universit paralel, mund të gjendet në romanin e shkrimtarit Ian R MacLeod, “Snodgrass” (2013), që e gjen Lennon 50 vjeç, si dështak e të papunë. Ashtu si tek “Yesterday”, edhe këtu është një histori “çka nëse…?”, por këtë herë me idenë se ai ndahet nga grupi The Beatles më 1962, sepse donte të publikonte si singël këngën “Love Me Do” (siç ndodhë në realitet), por që anëtarët vazhduan një rrugë tjetër. Sidoqoftë, në vizionin e MacLeodit, jo veç Lennoni e shikon nga larg jetën që mund ta ketë pasur, sepse as grupi nuk u bë i famshëm (dihet ndikimi i tij në grup).

“Snodgrass” më pas u adaptua në një film televiziv, me skenarin e shkruar nga ish-gazetari i NME-së, David Quantick.

“Beatles-at janë pastruar, sidomos Lennoni që paraqitej si djali i mirë që e donte paqen. Nuk ishte aspak i tillë. Ai e kishte një fëmijëri të tmerrshme dhe një jetë shumë të turbullt; kishte përdorur drogë dhe alkool dhe herën e parë ishte prind e burrë goxha i tmerrshëm … Ishte njeri i dhunshëm, por merrej me paqen. Ishte njeri i pasur i cili na tha të mos i imagjinojmë zotërimet. Gjithmonë portretizohej si hero i klasës punëtore, por kishte shtëpi dhe rreth të mirë”, thotë Quantick.

Në serinë “Snodgrass”, rolin e Lennonit e luajti (për herë të tretë) aktori Ian Hart. Në vitin 1991 ai luajti në filmin “The Hours and the Days”, i cili nuk e paraqit një Lennon alternativ, por gjërat që janë spekuluar për të. Këtë herë hetohet vikendi në Barcelonë, më 1963, të cilin Lennoni e kalon me menaxherin e grupit Brian Epstein, për çka flitej për një dashuri të ndaluar mes tyre. A kishte diçka të vërtetë këtu? Më 2015, Yoko Ono ka thënë se Lennoni e shihte biseksualitetin si një gjë normale, ndërsa Lennoni për lidhjen me Epsteinin ka thënë se “gati ishte një aferë dashurie, po jo bash ashtu, se kurrë nuk është konsumuar”.

Më 2015, me romanin “Beatlebone”, Kevin Barry merret me këto spekulime, duke analizuar udhëtimin e Lennonit në bregun perëndimor të Irlandës më 1978 e duke e imagjinuar këtë si pjesë të terapisë së çlirimit të ankthit që të jetë, më në fund, vetja e tij. “Beatlebone” zhvillohet dy vjet para vdekjes së Lennonit. Sheffield thotë se ai ka mundur të kalojë në gjërat e tilla: “Temë e intervistave të tij të fundit ishte lufta për të luftuar mizogjininë që e kishte trashëguar e për t’u mësuar që të jetë burrë i rritur që nuk ishte i rrënjosur në mizogjini … Nuk po përpiqej të justifikonte sjelljen e kaluar; po përpiqej ta kuptonte e ta linte. Dhe, fliste për këtë në publik, që fëmijët (meshkuj) të kuptonin se nuk kanë nevojë të rriten duke i bërë të njëjtat gabime si ai. Isha fëmijë i vogël kur ai vdiq, por Johni ishte një nga meshkujt e vetëm të rritur që kam parë duke folur hapur për feminizmin. Është një arsye e madhe për këtë”.

Më faktik është filmi i bërë nga Sam Taylor-Wood, më 2009, “Nowhere Boy”, i cili shfaq fëmijërinë e tij me nënën Julia dhe tezen Mimi. Ashtu sikur që studiuesit e zgjedhin p. sh. fëmijërinë e Budës, këtu synohet të kuptohet ndërtimi i Lennonit. Por, edhe këtu ka një pastërti, sepse e paraqet të ri para se prizmi i famës të shpërndahet në aspektet tjera që lejuan artistët tjerë të krijojnë idetë e tyre se si ai ishte. Pra, jo të gjitha portretizimet kanë synuar ekzaminimin e jetës së tij me ose pa Beatles-at. Në romanet “Anno Dracula” të autorit dhe kritikut të filmit Kim Newman, që e paraqesin një botë ku krijesat e mbinatyrshme jetojnë së bashku me njerëzit, Lennoni paraqitet si udhëheqës i Partisë së Punës (dhe si vampir). Ai madje gjendet në universin e stripave të Marveli-t, përmes personazhit të John The Skrull (i krijuar nga Paul Cornell), që shpesh merr pamjen e Lennonit. Të të dy këto aspekte është mishëruar me këngën e tij të vitit 1970, “Working Class Hero”. Ndërkaq, në stripat “The Invisibles” të serisë Vertigo të përgatitur nga Grant Morrison, është i ngjashëm me perëndinë (Ganeshin e hinduve) …

“Morrison na tregon se Lennoni veçse është personazh mistik”, thotë Quantick. “Ai ka arritur në nivelin ku njerëzit e përdorin në ritualet magjike për shkak të asaj që ata mendojnë se ishte”.

Sheffield thotë se kanonizimi i Lennon pas vdekjes së tij shkoi në dëm të anëtarëve të tjerë të grupit – Paul McCartney, Ringo Star dhe George Harrison.

“U shit imazhi i ri i Lennonit që i dëmtoi të tjerët që e donin dhe që e njihnin Johnin e vërtetë”, thotë Sheffield. “Pas vdekjes së tij, njerëzit u hidhëruan padrejtësisht me Paulin. Për shumë vjet, askush s’e tha një fjalë të mirë për Paulin, sepse njerëzit donin ta bënin shenjtor shokun e tij të grupit”.

Qoftë si shenjtor, zot apo njerëzor, portretizimi i Lennonit në kulturën popullore e ka marrë qëmoti rrugën larg realitetit. Quantick thotë se këtë e donte vet ai: “Lennoni ishte një vetë-mitolog … Dëgjoje këngën e vitit 1969, të Beatles-ave ‘The Ballad ofJohn and Yoko’. Ai në fakt e shkruante legjendën e tij. Testamentin e tij. Ishte i fiksuar me vetveten. E kishte mitizuar veten, kështu që nuk është e çuditshme pse të tjerët po e bëjnë të njëjtën gjë”. /Telegrafi/