eksperti-banner

Avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetiq, ka reaguar pas raportimeve se Gjykata Speciale në Hagë ka refuzuar të bashkëpunojë me monitorimin e procesit nga Avokati i Popullit i Kosovës dhe ekspertë të Komitetit për të Drejtat e Njeriut të Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit.

Misetiq ka theksuar se këto institucione luajnë rol thelbësor në garantimin e standardeve të të drejtave të njeriut në procese gjyqësore ndërkombëtare.


“Së drejta për një gjykim publik është një gur themeli i jurisprudencës së të drejtave të njeriut. Mbikëqyrja nga publiku siguron llogaridhënie institucionale, duke i mundësuar publikut të monitorojë prokurorët dhe gjykatat, në mënyrë që shkeljet procedurale dhe materiale të mund të identifikohen dhe korrigjohen”, ka deklaruar ai.

Ai ka kritikuar gjithashtu disa organizata ndërkombëtare për qasjen e tyre ndaj gjykatave ndërkombëtare, duke përmendur Human Rights Watch dhe Amnesty International.

Sipas tij, këto organizata shpesh ndryshojnë qëndrim kur kalojnë nga niveli kombëtar në atë ndërkombëtar, duke përfunduar në mbështetje të institucioneve në vend të mbrojtjes së të akuzuarve.

“Gjatë gati 30 viteve të praktikës sime para gjykatave dhe tribunaleve ndërkombëtare, kam vërejtur se organizatat e mëdha joqeveritare, si Human Rights Watch dhe Amnesty International, të cilat mbrojnë të drejtat e të akuzuarve në nivel kombëtar, shpesh ndryshojnë qasje në nivel ndërkombëtar dhe përfundojnë duke mbrojtur vetë institucionet. Ky ndryshim sistemik i lë të pandehurit pa monitorim objektiv të jashtëm”, ka shtuar Misetiq.

Ai ka vlerësuar në mënyrë të veçantë Avokatin e Popullit të Kosovës dhe Komitetin për të Drejtat e Njeriut të Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit, duke thënë se ata po kontribuojnë në zbatimin real të parimit të gjykimit publik në procesin ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Hagë.