LAJMI I FUNDIT:

Miratohet në parim Projektligji për Zyrtarët Publikë

Miratohet në parim Projektligji për Zyrtarët Publikë
Foto: Arkiv

Në seancën e së premtes në Kuvendin e Kosovës, është miratuar në parim Projektligji për Zyrtarët Publikë.

Për kanë votuar 61 deputetë dhe një ka abstenuar.


Kryeparlamentari Glauk Konjufca njoftoi se ky projektligj do të shqyrtohet edhe nga komisionet përkatëse.

“62 deputetë kanë votuar për këtë projektligj, 61 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim. Konstatoj që kaloi Projektligji për Zyrtarët Publikë. Kërkojmë nga komisioni funksional dhe komisionet e përhershme që ta shqyrtojnë dhe t’ia paraqesin Kuvendit raportin me rekomandime”, tha Konjufca.

Projektligji nuk ka marrë mbështetjen e deputetëve të opozitës, pasi sipas tyre, përmes tij partia në pushtet po e kap administratën zyrtare.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, teksa e prezantoi Projektligjin, tha se i njëjti mundëson reformimin dhe e hapë administratën shtetërore për të rinjtë e vendit si dhe krijon mundësi për gjithëpërfshirje.

“Ky projektligj është rezultat i kërkesave të kohës, po bëhet për të adresuar nevojat e administratës, është kompletuar bashkë me palët e interesit por gjatë të të gjitha fazave dhe është sjell këtu në kuvend si produkt i përbashkët institucional që krijon zgjidhje për stagnimin që e ka sjell administrata ndër vite”.

“Është me rëndësi që secili prej nesh përgjatë trajtimit të këtij projektligji të kemi në mendje që një gjë, rekrutimet e mbyllura dhe lëvizja paralele peng i së cilës ka qenë administrata deri tani nuk kanë lejuar që zyrtarët realisht të kenë mundësi të avancohen në karrierën e tyre profesionale dhe të synojnë pozita menaxheriale”, deklaroi ai.

Ndërsa, shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se Projektligji për Zyrtarët Publikë është boshti i administratës publike dhe përmes tij synohet ngritja e efikasitetit të administratës në shërbim të qytetarëve.

“Sektori publik është punëdhënësi kryesor në Kosovë dhe rregullimi marrëdhënies së punës së zyrtarit publik është i domosdoshëm. Qëllimi kryesor i këtij projektligji ka për qëllim rregullimin e marrëdhënies së punës së zyrtarit publik”.

Mirëpo, ndryshe mendon deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku.

Ai tha se është shumë shqetësuese se Qeveria Kurti po tenton të politizojë administratën publike.

Deputeti i PDK-së theksoi se këtë gjë e ka konstatuar edhe Bashkimi Evropian.

“Me këtë projektligj kjo parti edhe praktikisht dëshiron ta kap administratën publike, edhe pse ajo ka kritikuar partitë tjera pikërisht për këtë gjë”, u shpreh ai.

Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, tha se Projektligji për Zyrtarët Publikë është tentim për të degraduar administratën shtetërore, atë komunale dhe shërbimin civil.

“Bëhen shkelje në shumë nene. Me dispozitat që përmban ky Projektligj, cenohet e drejta e punësimit si një e drejtë themelore. Një e drejtë e tillë mund t’i merret dikujt me procedura të caktuara ligjore nëse plotësohen disa kushte”.

Ai shtoi me këtë projektligj, pas 18 muajve komunave do t’iu hiqet e drejta për të punësuar stafin e tyre.

Ndërsa, qëndrimin kundër për këtë projektligj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e shprehu Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar.

“Ky projektligj nuk i bënë nder Qeverisë e as Kuvendit, dhe mbi të gjitha dëmton administratën publike”.

Kundër projektligjit ishte edhe përfaqësuesi i deputetëve të Grupit Parlamentar joshumicë, Enis Kervan.

Ai tha se ky projektligj mund të mbështetet me ndryshimin e disa neneve./Telegrafi/