Miradije Statovci: Me guxim për një Prishtinë më të barabartë dhe të zhvilluar

Miradije Statovci, kandidate për Asamblenë Komunale të Prishtinës nga lista GUXO, ka prezantuar programin e saj për zhvillim të qëndrueshëm dhe përmirësim të shërbimeve për qytetarët.
Statovci vlerëson se Prishtina ka nevojë për një ritëm zhvillimi të menaxhuar me barazi, planifikim dhe përfshirje të të gjitha lagjeve, duke përfshirë periferitë dhe fshatrat përreth kryeqytetit.
Ajo thekson sfidat kryesore të qytetit, përfshirë ndotjen e ajrit, transportin, infrastrukturën rrugore dhe problemet në menaxhimin e mbeturinave, si dhe nevojën për përmirësim të hapësirave kulturore dhe shërbimeve për komunitetet e cenueshme, të moshuarit dhe fëmijët.
“Prishtina duhet të zhvillohet me normalitet dhe vizion, jo me improvizime që mbulojnë pa-rregullsitë ekzistuese. Qyteti ka nevojë për një qeverisje që prek çdo qytetar dhe përfshin të gjitha komunitetet”, tha Statovci.
Ajo premton një qasje të re dhe kreative për zgjidhjen e sfidave urbane dhe për të rritur eficencën e ekonomisë, forcimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe sociale.
“Me përvojën, përkushtimin dhe guximin tim, do të jem zëri i qytetarëve në Asamblenë Komunale, duke kontribuar në një Prishtinë të zhvilluar, të barabartë dhe krenare për të gjithë”, përfundoi Statovci.



















































