LAJMI I FUNDIT:

MINT heq masën mbrojtëse antidamping për koncentratin e shpezëve dhe kafshëve nga Serbia

MINT heq masën mbrojtëse antidamping për koncentratin e shpezëve dhe kafshëve nga Serbia

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), njoftoi të premten se ka marrë vendim për ndërprerjen e masës mbrojtëse antidamping mbi sektorin e prodhimit të koncentratit për shpezë dhe kafshë nga Serbia.

Ky dikaster bëri të ditur se vendimi është marrë bazuar në rekomandimin e Komisionit Ndërqeveritar për Vlerësimin e Masave Mbrojtëse në Importe dhe sipas ligjit përkatës në fuqi.


“Sipas raportit të Komisionit Ndërqeveritar për Vlerësimin e Masave Mbrojtëse në Importe, thuhet se pas pranimit të kërkesës së Shoqatës së Shpendarëve të Kosovës, për shfuqizim të masës përkatëse në fuqi, si dhe kërkesës së bërë nga ose në emër të prodhuesve vendor të Kosovës, kërkesë kjo për zgjerim të kodeve doganore në komplet kreun, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë respektivisht Departamenti i Tregtisë, në bashkëpunim me Komisionin për Vlerësimin e Detyrimeve të Veçanta në Importe, kanë shqyrtuar këto dy kërkesa dhe po ashtu kanë zhvilluar takime me Shoqatën e Shpendarëve të Kosovës, me kompanitë prodhuese, me Doganën e Kosovës, dhe ASK-në”, thuhet në komunikatën për media.

Në bazë të të dhënave të marra në teren nga prodhuesit, importuesit si dhe nga pikat shitëse, është konstatuar se prodhimi vendor nuk e plotëson kushtin kryesor për mbrojtje me masën antidamping, sepse sasia e prodhimit vendor të këtij produkti është më e vogël se (50%) e prodhimit total të produktit të ngjashëm.

Pra, prodhimi i këtij produkti nuk e ka plotësuar kushtin, i cili parashihet në paragrafin 6 të nenit 28 të Ligjit Nr. 04/L-240 Për Masat Antidamping dhe Masat Kundërbalancuese.

“Sipas ASK-së dhe AUV-it, në Kosovë janë vetëm dy prodhues të licencuar për prodhimin e koncentrateve për shpezë dhe kafshë, gjë që rezulton me mospërmbushje të nevojave të tregut në Republikën e Kosovës me produktet përkatëse, prandaj mbi këtë bazë Komisioni Ndërqeveritar i lartcekur ka rekomanduar ndërprerjen e kësaj mase”, bëhet e ditur tutje në njoftim.

MINT tha se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e prodhuesve vendorë dhe ruajtjen e konkurrencës së shëndoshë në Republikën e Kosovës. /Telegrafi/