LAJMI I FUNDIT:

Ministrja izraelite humbi samitin COP26 sepse nuk kishte transport për karrige me rrota

Ministrja izraelite humbi samitin COP26 sepse nuk kishte transport për karrige me rrota

Një ministre izraelite ka thënë se nuk mund të merrte pjesë në samitin COP26 të hënën, sepse “nuk kishte kushte” për karriget me rrota.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Karine Elharrar ka thënë se ishte “e trishtuar” që OKB “nuk ofron akses të tillë në ngjarjet e saj”.


Një zyrtar në delegacionin e kryeministrit izraelit Naftali Bennett tha se ata ishin ankuar zyrtarisht te organizatorët.

Madje, kryeministri izraelit Naftali Bennett tha se nuk do të merrte pjesë të martën nëse zonja Elharrar nuk mund të hynte në samit, sipas një zyrtari.

Në anën tjetër, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Izrael, Neil Wigan shkroi në Twitter se i kishte kërkuar falje “thellësisht dhe sinqerisht” ministres.

“Ne duam një samit të COP që është mirëpritës dhe gjithëpërfshirës për të gjithë”, shkroi ai.

Zyra e saj i tha Times of Israel se ajo priti jashtë vendit të ngjarjes në Glasgow për dy orë dhe përfundimisht u detyrua të kthehej në hotelin e saj në kryeqytetin skocez Edinburgh 80 km (50 milje) larg. /Telegrafi/