LAJMI I FUNDIT:

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës mundohet të arsyetojë pagën mbi 7 mijë euro të këshilltarit, Gani Jakupi

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës mundohet të arsyetojë pagën mbi 7 mijë euro të këshilltarit, Gani Jakupi

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ( MPJD) përmes një reagimi publik është munduar ta arsyetojë pagën e Gani Jakupit, i cili si këshilltar i kësaj ministrie merr 7 mijë e 500 euro pagë mujore.

MPJD thotë se përzgjedhja e tij është bërë duke u bazuar në nevojat specifike të projektit konkret dhe njohuritë specifike të tij, transmeton Telegrafi.


Në reagim thuhet se, kontrata e përfolur është lidhur në kuadër të shtimit të kapaciteteve të Republikës së Kosovës për të depërtuar sidomos tek disa shtete të caktuara, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës si dhe për të ofruar konsulencë të mirëfilltë në fushën e diplomacisë publike dhe kulturore.

“Kontrata është lidhur duke respektuar të gjitha procedurat e parapara me ligj. Përzgjedhja e konsulentit është bërë duke u bazuar në nevojat specifike të projektit konkret dhe njohuritë specifike të tij. Kontaktet e shumta të konsulentit të përzgjedhur në botën e kulturës dhe të medias, sidomos në një numër shtetesh që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, janë një pasuri e çmuar për kulturën, diplomacinë dhe shtetin tonë. Konsulenti i përzgjedhur është një artist i njohur në qarqet e gjera kulturore dhe artistike të Evropës Perëndimore, e sidomos në Francë, Belgjikë dhe Spanjë, por edhe në një pjesë të madhe të shteteve të Amerikës Latine”, thuhet në njoftim.

7,500 euro pagë në muaj, reagime të shumta për këshilltarin "supermen" të ministrisë së udhëhequr nga Gërvalla
Lexo po ashtu 7,500 euro pagë në muaj, reagime të shumta për këshilltarin "supermen" të ministrisë së udhëhequr nga Gërvalla

Më tej, MPJD pohon se se sa i përket përmbajtjes së kontratës dhe posaçërisht shumës së përmendur në media, të gjitha procedurat e ndjekura i janë përmbajtur me fanatizëm ligjeve të Republikës së Kosovës.

“Aq më tepër që shuma e kompensimit material nuk përbën një pagë të mirëfilltë, por përfshin të gjitha shpenzimet që lidhen me përmbushjen e kontratës, pra ndër të tjera edhe mbulesën e kostos jetësore dhe të shpenzimeve të tjera për angazhim profesional në Bruksel. Shuma në fjalë nuk i tejkalon në asnjë aspekt standardet e kontratave të ngjashme të konsulencës, të cilat kanë si synim depërtimin diplomatik në grupe shtetesh dhe në fusha të ndryshme dhe nuk e tejkalon ndjeshëm shumën e kostos së një diplomati të lartë të Republikës së Kosovës në Evropën Perëndimore”.

MPJD në reagimin e bërë thotë se në të kaluarën ka pasur kontrata edhe më të shtrenjta.

“Duhet qartësuar gjithashtu se në angazhimin e konsulentit të jashtëm nuk ka pasur asnjë konflikt të interesit, ndërkohë që gjatë procesit e përzgjedhjes, sikur edhe në të gjitha rastet e tjera, faktor ka qenë ekspertiza dhe kompetenca profesionale dhe dobia për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit tonë. Publiku i gjerë është i ndërgjegjshëm që në të kaluarën ka pasur kontrata 50-fish më të shtrenja, por me rezultate shumë herë më modeste sesa kontrata e përfolur gjatë këtyre ditëve”, vijon komunikata.

Në sqarimin e bërë nga ministia, thuhet se natyra e aktivitetit diplomatik dhe instrumenteve specifike të përdorura për arritjen e objektivave të politikës së jashtme, jo vetëm në Kosovë, është e tillë që publikimi i informacioneve të detajuara është i destinuar të dëmtojë seriozisht diplomacinë dhe interesat e Republikës së Kosovës.

“Kjo vlen posaçërisht për të gjitha përpjekjet e Kosovës për kontakte dhe vendosje bashkëpunimi me shtetet, të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës si dhe shtetet, në të cilët qasja e diplomacisë sonë zyrtare është e kufizuar.

Republika e Kosovës ka kaq shumë qytetarë të saj anë e mbanë botës, të cilët me gjithë suksesin e tyre të jashtëzakonshëm profesional në shumë fusha të ndryshme, asnjëherë nuk e kanë harruar vendin e tyre. Krahas karrierës së tyre profesionale, ata angazhohen maksimalisht në kapërcimin e sfidave të ndryshme, me të cilat Kosova është përballur dhe vazhdon të përballet përgjatë procesit të forcimit të subjektivitetit të saj ndërkombëtar. Për këtë përkushtim iu takon një falënderim i madh”, thuhet mes tjerash në reagim.

MPJD  në fund të reagimit thotë se edhe në të ardhmen nuk do të reshtë së kërkuari dhe mundësuari kontributin e të gjithë atyre që kanë vullnet dhe mundësi të ndihmojnë në fusha të ndryshme të diplomacisë, për ta vendosur Kosovën në vendin e merituar në arenën ndërkombëtare si Republikë e pavarur, sovrane dhe demokratike./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

Lajme
Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Siguri
Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Siguri
Meta: Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata” në Shqipëri

Meta: Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata” në Shqipëri

Lajme
Presidentja sllovene tregon nëse EUROPOL po heton prejardhjen e armëve të Milan Radoiçiqit që u gjetën në Banjskë

Presidentja sllovene tregon nëse EUROPOL po heton prejardhjen e armëve të Milan Radoiçiqit që u gjetën në Banjskë

Siguri
Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Lajme
Kalo në kategori